Përveç masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE), Kosova së fundmi po përballet edhe me një vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), atë të ndërprerjes së Dialogut të planifikuar Strategjik. Gjithë këto po vlerësohen të kenë ardhur si shkak i sulmeve ndaj institucioneve të drejtësisë e me theks ato ndaj Gjykatës Kushtetuese që po bën kryeministri në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Kështu po mendojnë ish-bashkëpartiakëte tij.
Haki Abazi, ish-bashkëpartiak i Kurtit dhe tani anëtar i AAK-së, tha se kjo situatë ka qenë e paralajmëruar prej kohësh dhe se tashmë është bërë e qartë për të gjithë.
“Nuk ka vështirësi për të parë, por është ardhur momenti aty ku është pritur realisht nga gjithë ne. Unë kam bërë këtë alarm me vite që diskursi i kësaj qeveri dhe i Kurtit është përplasësh dhe jo produktiv për Kosovën. Natyrisht pas goditjes së një pas njëshme të institucioneve edhe ligjeve, mos respektimit të Gjykatës Supreme natyrisht që është pritur një reagim nga BE-ja edhe ShBA dhe tash së fundi kjo është një shfaqje e krejt asaj analize të plotë të ShBA-së që kemi të bëjmë me një komunist i cili realisht tenton që të veje në kontroll secilin institucion dhe të mos lejoj as një formë të komunikimit të shëndoshë mes institucioneve. Goditja mbi Gjykatën Kushtetuese që ka bërë Kurti dhe Vjosa Osmani janë fundi i durimit për gjithë. Do të duhej që të ishte edhe fundi për qytetarët. Ky lloj sulmi që ju ka bërë Kushtetueses është sulmi më i rëndë që ju ka bërë Kosovës dhe pavarësisë së vetë”, tha Abazi në një intervistë për Ekonomia Online.
Duke folur për pasojat e këtyre zhvillimeve, Abazi tha se Kosova po përballet me pasoja të rënda ekonomike.
“Tani këto sigurisht që ndërlidhen sepse mos marrja e mbi 850 milionë eurove prej BE-së, ndalja e përkrahjes financiare nga ShBA-ja, dekurajimi për shkak të sigurisë që vetë kryeministri në detyrë prononcohet se ka krizë e potencial për konflikt, natyrisht që investitorët nuk do të vijnë as edhe diaspora realisht dhe kemi të bëjmë me një situatë e cila ka sjellur në mungesë të plotë të parasë. Shumica e bankave në Kosovë janë jo likuide, nuk kanë kesh, nuk japin kredi dhe natyrisht nuk ka edhe mundësi për bizneset të reja por edhe këto të cilat janë në treg që të jenë të qëndrueshme e rrjedhimisht jemi kthyer aty ku ka dashur Kurti, realisht në një shtet të kontrolluar plotësisht, jo ekonomi të tregut. Dhe ku varfëria është forma e manipulimit të votuesit edhe qytetarit”, theksoi Abazi.
Në të njëjtën linjë me kritikat ishte edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, i cili tha se ky zhvillim dëmton rëndë pozitën shtetërore dhe diplomatike të Kosovës.
“Ky lajm nuk është i mirë për pozicionin shtetëror e diplomatik të Kosovës sepse Kosova në vend që të afrohet më shumë me SHBA-në në këtë moment delikat që po kalon jo vetëm vendi ynë por edhe bota në përgjithësi neve na vijnë informata që shtohet dhe trashet izolimi dhe tkurrje e peshës politike të Kosovës nga aleatët. Pas masave sanksionuese të vendosur nga BE-ja, letrës dërguar qeverisë në detyrë të Albin Kurtit po ashtu nga BE-ja që nuk do ta njohin si kryeministër legjitim të Kosovës për çka edhe refuzojnë që të takohen në institucionet qeveritare. Në fund vjen edhe kjo që SHBA se do ta pezullojnë përkohësisht dialogun strategjik me Kosovën për shkak të sjelljeve dhe qëndrimeve të qeverisë në detyrë me theks të veçantë që u pa qartë edhe nga diplomatë të ndryshëm ndonëse ishin disa arsye graduale që dërguan në këtë ftohje të raporteve por me theks të veçantë për shkak të sulmeve të fundit brutale që kanë ndjekur ndaj Gjykatës Kushtetuese partia fituese e zgjedhjeve”, tha Kasolli në një deklaratë për Ekonomia Online.
Ai e cilësoi këtë mesazh si alarmant dhe me pasoja të rënda për Kosovën.
“Ky është një mesazh jashtëzakonisht i keq për Kosovën edhe në vend se Kosova të afrohet më shumë me perëndimin ajo po largohet në një kohë kur ka më së shumti nevojë për asistencën dhe përkrahjen ndërkombëtare. Çka është më e dëmshme ne po e shohim që Serbia i ka intensifikuar në masë të madhe përpjekjet diplomatike që ta fitojë këtë dialog strategjik ndërmjet Serbisë dhe SHBA-ve, ndërkohë Kosova atë që e kishte po e humbë, kurse Serbia ata që nuk e ka po bën përpjekje maksimale që ta fitojë”, deklaroi Kasolli.
Më 12 shtator, Ambasada Amerikane në Prishtinë njoftoi për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik mes ShBA-së dhe Kosovës.
Në një njoftim në Facebook, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
The post Ish-bashkëpartiakët kritikojnë Kurtin: Një komunist që tenton të vë në kontroll secilin institucion appeared first on Klan Kosova.