Monday, March 30, 2026
spot_img
HomeLajmeIrani përgënjeshtron negociatat direkte me SHBA. Trump zbulon planet e tij

Irani përgënjeshtron negociatat direkte me SHBA. Trump zbulon planet e tij

Duket gjithmonë e më larg epilogu i konfliktit iranian. Në orët e fundit, Irani ka përgënjeshtruar pretendimet për negociata pozitive të presidentit Donald Trump.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei i ka cilësuar propozimet e Shteteve të Bashkuara, të përmbledhura në 15 pika, si “të tepruara dhe të paarsyeshme”.

Sipas mediave ndërkombëtare, Baghaei ka deklaruar se nuk ka pasur kontakte direkte me Shtetet e Bashkuara dhe se mesazhet e marra nga Uashingtoni kanë ardhur përmes vendeve ndërmjetëse, mes të cilave Pakistani.

Funksionari i Ministrisë së Jashtme ka shtuar se qëndrimi i Iranit mbi çështjet në fjalë është i qartë dhe se Teherani mbetet i përqendruar në pikat e tij të referimit. Më herët, nga bordi i “Air Force One”, Trump deklaroi se, mes Amerikës dhe Iranit kishte pasur negociata pozitive.

Më herët, në një intervistë për “Financial Times”, Trump tha se synonte të merrte naftën e Iranit dhe kontrollin e ishullit të Khargut, prej nga eksportohet ajo.

“Mund ta marrim Khargun, ose mund të mos e marrim. Kemi shumë opsione”, tha Trump, i bindur se iranianët nuk kanë kapacitete mbrojtëse atje.

Gjithashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë po vlerëson një operacion ushtarak për rikuperimin e 450 kilogramëve uranium në Iran. Bëhet fjalë për një mision kompleks që do të bënte që trupat amerikane të vepronin në territorin e vendit të Lindjes së Mesme për disa ditë, ose për një periudhë më të gjatë.

Sipas “Wall Street Journal”, presidenti amerikan është i vetëdijshëm për rreziqet që mund të sjellë një operacion i tillë, por mbetet i hapur për idenë.

Ndërkohë, pasi ka konfirmuar vdekjen e komandantit të marinës së Gardës Revolucionare në sulmet amerikano-izraelite, Republika Islamike ka deklaruar se synon të godasë banesat e funksionarëve ushtarakë dhe politikë amerikanë dhe izraelitë në rajon. Zëdhënësi i ushtrisë iraniane, nënkolonel Ebrahim Zolfaghari ka nënvizuar se sulmet do të jenë një hakmarrje për goditjet e kryera nga dy vendet ndaj banesave civile të Iranit.

Vetë shteti hebre ka denoncuar sulme të shumta me raketa nga Irani dhe një tjetër sulm të nisur nga Jemeni, për herë të dytë që nga fillimi i luftës.

Burime qeveritare nga Tel Avivi kanë bërë të ditur se shumica e raketave dhe dronëve u asgjësuan, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT