Sunday, January 11, 2026
spot_img
HomeLajmeIrani kërcënon me kundërsulm ndaj Izraelit dhe bazave amerikane

Irani kërcënon me kundërsulm ndaj Izraelit dhe bazave amerikane

Irani ka kërcënuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kundërsulme në rast të një sulmi amerikan në mbështetje të lëvizjes protestuese mbarëkombëtare kundër udhëheqjes autoritare të shtetit.

“Çdo sulm amerikan do të çonte në sulme ndaj Izraelit dhe bazave ushtarake rajonale amerikane si objektiva legjitime”, tha zëdhënësi parlamentar iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf për transmetuesin arab “Al Araby”, sipas një postimi sot në X, shkruan ATSH.

Presidenti amerikan Donald Trump, pak më parë i kishte siguruar pjesëmarrësit në protestat masive që po zhvillohen në Iran për mbështetjen e tij.

“Irani po shikon LIRINË, ndoshta si kurrë më parë”, tha Trump.

“SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë!!!”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Duke cituar zyrtarë amerikanë, “New York Times” raportoi se Trump ishte informuar ditët e fundit mbi opsionet e reja për sulme ushtarake në Iran.

“Trump po shqyrton përmbushjen e kërcënimit të tij për të sulmuar vendin për shkak të shtypjes së protestave”, raportoi gazeta.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me qendër në SHBA, numri i personave të vrarë në protestat masive që kanë vazhduar prej dy javësh është rritur në 116, ndërsa më shumë se 2 600 persona të tjerë janë arrestuar.

Pavarësisht një ndërprerjeje pothuajse të plotë të internetit, tani në ditën e katërt sipas monitoruesit të internetit “NetBlocks”, HRANA tha se ka pasur demonstrata në 185 qytete në të gjithë vendin.

Reza Pahlavi, djali i monarkut që u rrëzua në Revolucionin Islamik të vitit 1979 dhe i cili është në mërgim në SHBA, bëri thirrje për greva mbarëkombëtare në Iran dhe protesta të reja sot në orën 18:00 pasdite për të pushtuar sheshet qendrore në qytete.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT