Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate të përbashkët me Prokurorinë Themelore në Pejë e kanë konfirmuar raportin ekskluziv të Klankosova.tv se janë arrestuar dy zyrtarë policorë, Nënkoloneli Nexhat Gutiq dhe Kapiteni policor Prek Tuna.
Në njoftim thuhet se pas punës intensive të Prokurorit të Shtetit dhe IPK-së, zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” dhe me vendim të prokurorit, të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.
Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për këtë rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje “për prishje të rendit dhe qetësisë publike”. /Klankosova.tv
Vërejtje: Personi apo personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
Ekskluzive: Arrestohen dhe ndalohen nënkoloneli dhe kapiteni policor të suspenduar në Pejë
The post IPK-ja konfirmon raportimin e Klankosova.tv për arrestimin e nënkolonelit dhe kapitenit policor në Pejë appeared first on Klan Kosova.