Interesim nga Liga Premier për Camavingën

Interesim nga Liga Premier për Camavingën

E ardhmja e Eduardo Camavingas te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më e pasigurt, teksa mesfushori francez nuk po gjen vazhdimësi në formacionin titullar, pavarësisht potencialit të lartë dhe pritshmërive që janë ngritur mbi të që nga ardhja në “Santiago Bernabeu”.

Megjithëse fillimi i sezonit 2024/25 u shoqërua me një dëmtim që e mbajti për disa javë jashtë fushës, Camavinga është rikuperuar plotësisht dhe ka qenë në dispozicion të trajnerit Xabi Alonso, por minuta e tij në fushë ka qenë më e kufizuar sesa pritej.


Gjithsesi, mesfushori francez nuk ka qenë një titullar i padiskutueshëm dhe kjo ka ngritur pikëpyetje rreth rolit të tij afatgjatë te Real Madridi, sidomos pas ardhjes së trajnerit të ri, që duket se ka alternativa të tjera të preferuara për mesin e fushës.

Në Angli, media të ndryshme kanë raportuar se klube të Ligës Premier përfshirë Manchester United, Chelsea dhe së fundmi edhe Newcastle United, po ndjekin me vëmendje zhvillimet rreth Camavingës.

Megjithëse nuk ka një ofertë zyrtare në tavolinë, interesimi i tyre lidhet me mungesën e stabilitetit të francezit në formacionin madrilen dhe me potencialin që ai ende përfaqëson në moshën 22-vjeçare.

Camavinga, i cili iu bashkua Real Madridit në vitin 2021 nga Rennes, ka luajtur deri më tani 182 ndeshje zyrtare me fanellën e bardhë, duke shënuar 4 gola dhe dhënë 10 asistime në të gjitha kompeticionet.

Ai ka fituar tituj të rëndësishëm përfshirë Ligën e Kampionëve (2022), La Ligën, dhe Kupën e Mbretit.

E ardhmja vendimtare mund të jetë afati kalimtar i janarit.

Nëse situata nuk ndryshon gjatë muajve në vijim, është e mundur që Real Madridi të shqyrtojë opsionin e një largimi hauzimi apo edhe një transferimi të përhershëm, në varësi të ofertave.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga klubi apo lojtari për ndonjë vendim. /Telegrafi/