Inter çmendet pas Akanjit – vendos ta blejë menjëherë, s’pret as Scudetton

Inter çmendet pas Akanjit – vendos ta blejë menjëherë, s’pret as Scudetton

Interi duket se ka vendosur përfundimisht për ta blerë mbrojtësin Manuel Akanji dhe nuk do ta presë as fundin e sezonit.

“Neurazzurët” siguruan zviceranin nga Manchester City në ditën e fundit të merkatos, me formulën e huazimit njëvjeçar për 1 milion euro dhe me të drejtë blerjeje prej 15 milionë eurosh. Në kontratë ekziston edhe një kusht që e kthen opsionin në detyrim, nëse mbrojtësi luan të paktën 50 për qind të ndeshjeve këtë sezon ose nëse zikaltërit fitojnë titullin e Serie A.


Por duket se klubi nuk ka ndërmend të presë kaq gjatë. Deri tani, Akanji ka qenë titullar në tri ndeshje të Serie A dhe një në Ligën e Kampionëve, fitorja 1-0 në udhëtim ndaj Ajaxit, duke bindur stafin teknik dhe drejtuesit me paraqitjet e tij solide.

Lautaro Martinez dhe Manuel Akanji

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Inter tashmë ka marrë vendimin: do të blejë kartonin e zviceranit, pavarësisht nëse kushtet e obligimit aktivizohen apo jo.

29-vjeçari, që ka luajtur më parë për Winterthur, Basel dhe Borussia Dortmund, iu bashkua Manchester City në vitin 2022 për 20 milionë euro.

Ndërkohë, edhe Akanji ëndërron qëndrimin te Interi meqenëse nuk ka të ardhme te klubi anglez./Telegrafi/