Blerim Sallahu, ushtrues detyre i Ministrit të Drejtësisë në Kosovë, priti në takim Ministren e Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe Ministren e Azilit, Migrimit dhe Integrimit Social, Annelien Van Bossuyt.
Në takim u diskutua thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve me integritet të lartë profesional.
“Diskutuam gjerësisht për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve me integritet të lartë profesional”, ka shkruar Sallahu.
Ministret belge shprehën mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO.
Sallahu tha se ato “vlerësuan përkushtimin e Qeverisë për ndërtimin e një sistemi të drejtë, transparent dhe në përputhje me standardet evropiane.”
Gjatë takimit u zotuan për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet dy vendeve, si dhe diskutuan tema të tjera me interes të përbashkët.
“Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të sundimit të ligjit dhe integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sallahu. /Telegrafi/