Institucionet dhe ATK: Bashkë kundër evazionit fiskal për një treg më të ndershëm

Institucionet dhe ATK: Bashkë kundër evazionit fiskal për një treg më të ndershëm

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm Mentor Hyseni dhe zëvendësdrejtorët Isen Lipovica dhe Sami Salihu, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me partnerët institucionalë, përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve dhe organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit.

Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, me fokus të veçantë në edukimin tatimor dhe zhvillimin profesional si baza për një administrim më të drejtë dhe efikas tatimor.


Gjatë takimit, z Hyseni theksoi nevojën për një bashkëpunim të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm, duke u larguar nga koordinimet formale drejt veprimeve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e sistemit tatimor dhe klimës së biznesit në vend.

“Një qytetar apo biznes i mirëinformuar është kontribuesi më i mirë i tatimeve. Edukimi i tatimpaguesve është investim në të ardhmen, pasi mjetet e mbledhura përmes tatimeve kthehen në shërbim të publikut përmes një rishpërndarjeje të drejtë”, u shpreh Hyseni, duke shtuar se edukimi tatimor do të ketë prioritet të veçantë, sidomos tek të rinjtë dhe në periudhat e rekrutimit të stafit të ri profesional.

Pjesëmarrësit vlerësuan lartë iniciativën e ATK-së, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të rregullt të informacionit dhe ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm për të luftuar evazionin fiskal dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues.

Në përfundim të takimit, drejtori Hyseni theksoi se bashkëpunimi i ndërsjellë është çelësi për të ndërtuar besim, për të arritur rezultate afatgjata dhe për të avancuar në shërbim të interesit publik. /Telegrafi/