E enjte, 11 Dhjetor, 2025
spot_img
HomeShowbizINSTA-INNOVATION vijon me "Green Finance 2025" Investitorë, banka dhe inovatorë diskutojnë tranzicionin...

INSTA-INNOVATION vijon me “Green Finance 2025” Investitorë, banka dhe inovatorë diskutojnë tranzicionin e gjelbër

Në qendrën e inovacionit të INSTA-BUILT u mbajt eventi “Green Finance”, pjesë e serisë INSTA-INNOVATION, ku u mblodhën institucione financiare, investitorë, politikëbërës dhe inovatorë për të diskutuar mënyrat se si kapitali mund të orientohet drejt projekteve me ndikim të qëndrueshëm ekonomik dhe mjedisor.

Mes të pranishmëve ishin përfaqësues të Bankës Botërore, BERZH-it, ProCredit Bank, Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Luksemburgut.


Gjatë takimit u theksua rëndësia e financimit të projekteve të gjelbra, energjisë së ripërtëritshme dhe modele të reja të zhvillimit që e pozicionojnë Kosovën më afër standardeve ndërkombëtare. Drejtori i INSTA-BUILT, Mentor Pllana, tha se qendra e inovacionit është dizajnuar për të lidhur Kosovën me tregjet globale përmes projekteve konkrete.

“Kjo qendër ka për qëllim t’u ndihmojë kompanive të Kosovës të lëvizin nëpër botë me ide, produkte dhe projekte. Sot jemi të pranishëm në Holandë, Gjermani dhe Teksas, dhe duam të tregojmë se është reale, e prekshme dhe e mundshme që edhe prej Kosovës të ndërtojmë projekte që konkurrojnë globalisht,” deklaroi ai.

Ai shtoi se projektet e reja të INSTA-BUILT po krijojnë modele të qarta për bizneset vendore.

“Do të japim raste konkrete se si është e mundur të fluturojmë me idetë dhe produktet tona jashtë vendit. Kosova ka kapacitet të jetë pjesë aktive e zinxhirit global të inovacionit,” theksoi Pllana.

Në panel foli edhe Besnik Berisha nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, i cili nënvizoi rolin e financës së gjelbër në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Agjenda e gjelbër është një nga objektivat tona kryesore. Përmes skemës garantuese ‘Grow’ mbështesim investimet që rrisin efikasitetin e energjisë dhe instalimet e energjisë së ripërtëritshme deri në 400 kilovat, për qëllime vetëkonsumi,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se një transformim i tillë kërkon bashkëpunim të gjerë mes institucioneve financiare, sektorit privat dhe politikëbërësve. Sipas tij, Kosova mbetet vend me efikasitet të ulët energjetik dhe investimet në teknologji moderne dhe ndërtesa të qëndrueshme duhet të shndërrohen në standard të ri.

Eventi “Green Finance” u vlerësua si një platformë që krijon ura bashkëpunimi dhe nxit projekte të reja të gjelbra, duke e pozicionuar vendin drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe më rezistente ndaj sfidave energjetike.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT