Policia e Kosovës, të premten (8 gusht), ka realizuar një aksion inspektimi në 21 parkingje private të automjeteve në qytetin e Prizrenit, ku është gjetur se të gjithë po bëjnë shmangie nga tatimi.
Aksioni është zhvilluar përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Prizren, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me asistimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Siç njofton Policia, aksioni kishte për qëllim parandalimin dhe hetimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi”, teksa është konstatuar se asnjëri nga ta nuk lëshonte kuponë fiskalë.
Ndër shkeljet tjera të identifikuara janë edhe mos posedimi i arkave fiskale në 5 prej tyre; 2 biznese ishin të paregjistruara; dhe, 2 biznese ishin pa kontrata qiraje.
“Për secilin rast, inspektorët e Administratës Tatimore do të ndërmarrin veprimet procedurale sipas kompetencës, ndërsa Policia e Kosovës do të vazhdojë procedurat ligjore për veprën penale ‘Shmangie nga tatimi’”, u tha në njoftimin e Policisë. /Klankosova.tv
The post Inspektohen 21 parkingje në Prizren, asnjëri s’lëshonte kuponë fiskalë appeared first on Klan Kosova.