Të bëhesh prind po kthehet në një sfidë për disa çifte për shkak të infertilitetit.
Mjekët obstetër-gjinekologë vënë në dukje se rastet e çifteve që e kanë të pamundur të arrijnë një shtatzëni janë në rritje, si në të gjithë Evropën, ashtu edhe në Shqipëri.
“1 në 6 çifte në Shqipëri kanë vështirësi për të konceptuar një shtatzëni”, – thotë Eliona Demaliaj, drejtoreshë e Spitalit Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.
Ekspertët vlerësojnë se infertiliteti prek njëlloj si meshkujt, ashtu edhe femrat, ndërsa pohojnë se faktorët kryesorë janë: mosha e madhe në të cilën çiftet vendosin për të pasur fëmijë, sëmundjet e ndryshme dhe stili i jetesës.
“Çiftet duhet të paraqiten tek mjeku. Ulja e moshës së konceptimit të shtatzënisë, si dhe trajtimi i duhur nga ekspertë të licencuar për sa i përket trajtimit dhe fekondimit in vitro, janë ato që ndihmojnë në uljen e incidencës së infertilitetit”, – thotë Eliona Demaliaj, drejtoreshë e Spitalit Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.
Për të ndihmuar çiftet e reja për sjelljen në jetë të një fëmije, shteti shqiptar po financon 100% procedurat e riprodhimit mjekësor të asistuar. Kjo procedurë ka rezultuar e suksesshme për dhjetëra çifte që janë bërë me fëmijë.