E premte, 25 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeInfermieri i Vushtrrisë kallëzon penalisht tërë QKMF-në: Kryeinfermierja është mbi ligjin (VIDEO)

Infermieri i Vushtrrisë kallëzon penalisht tërë QKMF-në: Kryeinfermierja është mbi ligjin (VIDEO)

Identitetin e mban të fshehur, por jo edhe ankesat për vendin e tij të punës.

Infermieri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, në kushte anonimiteti ka treguar për Kiks Kosovën një shkelje ligjore që filloi nga viti 2011 e për të cilën thotë se po vazhdon edhe sot.

B.Sh., po pretendon se Adlije Shaqiri – Kurti është zgjedhur kundërligjshëm në pozitën e kryeinfermieres dhe që 14 vjet në mënyrë joligjore po e mban ende këtë post.

Prandaj, me pretendimin se i janë shkelur të drejtat dhe barazia në punë, më 8 maj të 2025-ës, 46-vjeçari bëri kallëzim penal ndaj kryeinfermieres Shaqiri, drejtoreshës së QKMF-së, Naile Gjakës, juristit të kësaj qendre, Idriz Muzaqit, drejtorit të Shëndetësisë në këtë komunë, Lorik Maxhunit, ekonomistit të QKMF-së, Fisnik Kamberit dhe shefit të Administratës, Liridon Hajrizit.

Këtë gjashtë zyrtarë publikë, ai po i akuzon për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkelje të të drejtave nga marrëdhënia e punës, mashtrim në detyrë, moszbatim i aktgjykimit gjyqësor, dëmtim i buxhetit publik përmes pagesave të parregullta dhe pengim i qasjes në dokumente publike.

Përmes këtij kallëzimi penal, B.Sh., po i kërkon Prokurorisë që të nis hetimet ndaj këtyre nëpunësve, me arsyetimin se nuk ka hasur në bashkëpunim, kur këto ankesa i ka drejtuar në QKMF e Drejtori të Shëndetësisë.

Përveç që e akuzon kryeinfermieren se është përzgjedhur dhe e mban këtë pozitë kundërligjshëm, infermieri vushtrrias pretendon se në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe atë për Shërbyes Publik, Adlijes iu bë kontrata me pozitë të përhershme.

B.Sh. thotë se infermierët kanë frikë edhe të bëjnë ankesë kundër, siç e quan ai, “uzurpimit” të kësaj pozite pasi që udhëheqësia e QKMF-së hakmerret ndaj tyre.
Madje, ai pretendon se infermierët apo kushdo që ngre zërin për këtë çështje, shantazhohet edhe nga kryeinfermierja, të cilën e akuzon se e sheh veten mbi ligjin.

Këtë hakmarrje, infermieri thotë se e ka përjetuar edhe vetë kur nisi ankesat e vazhdueshme ndaj kryeinfermieres.

46-vjeçari ka një vit që është transferuar në Ambulatën e Mjekësisë Familjare në Oshlan, e nga korriku i këtij viti, punën si infermier do ta kryejë në AMF-në e fshatit në Dubovc dhe në atë të fshatit Beçiq.

Largimi i tij nga QKMF-ja, ai thotë se është hakmarrje e pastër.

Infermieri ankohet se ky vendim ka dëmtuar imazhin, si dhe e ka dëmtuar financiarisht, pasi detyrohet të udhëtojë me kilometra larg shtëpisë së tij dhe shpenzimet e udhëtimit nuk i kompensohen fare.

The post Infermieri i Vushtrrisë kallëzon penalisht tërë QKMF-në: Kryeinfermierja është mbi ligjin (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT