Kompania e Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS) iu ka shmangur sanksioneve amerikane.
NIS ka njoftuar se Ministria e Financave të SHBA-së ka lëshuar një licencë të veçantë të re.
Në këtë formë është shtyrë hyrja në fuqi e sanksioneve në mënyrë të plotë ndaj kompanisë NIS dhe që i mundëson kompanisë të kryejë pa pengesa aktivitetet operative deri më 8 tetor 2025.
Kompania NIS gjithashtu kujton se ka dorëzuar një kërkesë për heqjen nga lista SDN (Personat e Veçantë të Caktuar), raporton nova.rs.
Siç është përmendur, ky është një proces i gjatë dhe kompleks ndërsa kërkesa fillestare është dërguar më 14 mars të këtij viti.
“NIS vazhdon aktivitetet me qëllim tejkalimin e situatës aktuale dhe për çdo risi që mund të ndikojë në biznes, kompania do të njoftojë publikun në kohë”, thuhet në njoftim e kompanisë.
Arsyeja kryesore pse NIS është vendosur në listën e subjekteve që do të sanksionohen është për shkak të pronësisë që shteti rus ka shumicën e aksioneve. Kompania Gazprom Neft, pjesë e grupit Gazprom të Rusisë, zotëron pjesën më të madhe të aksioneve në NIS, gjë që e lidh direkt me interesat strategjike të Rusisë në rajon.
Për këtë arsye, që në muajin mars të këtij viti, NIS i është drejtuar Uashingtonit me një kërkesë të veçantë për të hequr kompaninë nga lista e subjekteve që do të sanksionohen, duke argumentuar se veprimtaria e saj ka rëndësi ekonomike për Serbinë dhe rajonin, si dhe se ndikimi i drejtpërdrejtë i Rusisë në vendimmarrje nuk është i tillë që ta justifikojë përfshirjen në sanksione. /Telegrafi/