Një foshnje vetëm 20 ditëshe është gjetur e varrosur për së gjalli në Uttar Pradesh të Indisë dhe aktualisht ndodhet në gjendje kritike në spital, duke luftuar për jetën.
Vajza e vogël u zbulua nga një bari, i cili kishte nxjerrë dhitë për të kullotur dhe dëgjoi të qara të dobëta që vinin nga një pirg dheu. Kur u afrua, ai pa një dorë të vogël që kishte dalë jashtë sipërfaqes. Pasi lajmëroi banorët e zonës, u thirr policia që gërmoi dhe nxori foshnjën jashtë.
Policia nuk ka dhënë ende emra të dyshuarish, por ka dyshime se rasti lidhet me praktikat diskriminuese ndaj vajzave, të cilat vijojnë të jenë të pranishme në disa rajone të Indisë.
Foshnja u dërgua menjëherë në reanimacionin neonatal në spitalin e distriktit të Shahjahanpur.
Rajesh Kumar, mjek në spital, i tha BBC-së: “Ajo ishte në gjendje kritike, shfaqte simptoma hipoksie ose mungesë oksigjeni. Ajo ishte kafshuar nga insektet dhe nga ndonjë lloj kafshe. Pas 24 orësh pamë një përmirësim të vogël në gjendjen e saj, por është përkeqësuar. Ka pësuar një infeksion.”
Ai shtoi se foshnja ishte gjetur vetëm pak kohë pas groposjes: “Plagët ishin të freskëta.”
Një ekip mjekësh, përfshirë një kirurg plastik, po përpiqet të ndalojë përhapjen e infeksionit dhe të stabilizojë gjendjen e vajzës.
“Prognoza është e rëndë, por po bëjmë më të mirën tonë që ta shpëtojmë”, tha Kumar.
Policia ka nisur hetimet për të identifikuar prindërit e foshnjës, por deri më tani nuk ka të dhëna konkrete. Për rastin është njoftuar edhe linja kombëtare e ndihmës për fëmijë në Indi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!