Agon Dushullofci flet pas arrestimit: Po më cenojnë pronën pa pëlqim – përdorën dhunë gjatë arrestimit
Agon Dushullofci, i arrestuar gjatë punimeve për asfaltimin në rrugën ‘A’ të hënën, ka deklaruar për Ekonomia Online se arrestimi i tij ndodhi ndërsa po kërkonte ndalimin e punimeve në tokën e familjes së tij, për të cilën, sipas tij, nuk është dhënë pëlqimi i nevojshëm nga Komuna e Prishtinës.
Ai tha se procesi u zhvillua në mënyrë të dhunshme dhe se rasti ka të bëjë me një çështje pronësie që tashmë ka kaluar nëpër gjykatat e Kosovës. Ndërhyrja e Policisë përfundoi me arrestimin e tij dhe, sipas tij, me përdorimin e dhunës gjatë transportimit për në stacionin policor, ku u detyrua të ngrinte duart për të shmangur lëndimet. Ai shton se ka marrë plagë në trup si pasojë e ndërhyrjes së policisë.
“Në mëngjes, rreth orës 07:45, erdhën policia, punëtorët e rrugës dhe disa persona të tjerë që nuk i njihja. Polici që ishte përgjegjës për rastin më tha se kanë një vendim të Gjykatës së Apelit. E pyeta se për çfarë vendimi bëhej fjalë, por ai vetëm ma tregoi pa e sqaruar përmbajtjen, duke thënë se punimet lejohen. I thashë se nuk ka vendim të tillë, sepse unë jam pronar i tokës dhe nuk jap pëlqim. Përderisa nuk jap pëlqimin, Komuna nuk ka të drejtë të punojë. Ata filluan punën, unë u përpoqa t’i ndaloj dhe ndodhi arrestimi. Gjatë transportimit, më futën duart me forcë në fyt. Në stacion më detyruan të ngrija duart lart, duke më kërcënuar se do të më shkaktonin lëndime. Kam plagë në trup,” deklaroi Dushullofci.
Ai theksoi se nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por kërkon respektim të ligjit dhe të drejtës së pronës.
“Nuk jemi kundër rrugës, por jemi për ligjshmëri. Rruga duhet të ndërtohet, por duhet të dihet se cila është pjesa jonë. Me të tjerët bëhen marrëveshje, pse jo edhe me ne? Gjykata Supreme në vitin 2016 ka vendosur që palët ndërgjyqësore duhet të japin pëlqim të dyanshëm në çdo çështje pronësore,” tha ai.
Dushullofci pretendon se toka është përvetësuar nga familja Zariqi në mënyrë të paligjshme që nga viti 2006, përmes falsifikimit të dokumenteve.
“Në vitin 2006, familja Zariqi, e lidhur me LDK-në, ka përvetësuar tokën tonë me dokumente të falsifikuara. Edhe sot vazhdojnë ta mbajnë. Në vitin 2017 u ngrit aktakuzë ndaj Sali dhe Lutfi Zariqit për falsifikim. Unë kam dokumente origjinale nga arkivi i Beogradit që vërtetojnë falsifikimin. Toka jonë është shpërndarë në emra të ndryshëm, përfshirë edhe njerëz të luftës,” u shpreh ai.
Ai bëri të ditur se parcela në fjalë është 46 ari dhe se do ta mbrojë atë me çdo mjet ligjor.
“Toka është 46 ari dhe është e familjes sonë. Në atë parcelë kishte edhe një autolarje që u dëmtua pa ndonjë vendim. Kam bërë ankesë në Inspektorat, por nuk kam marrë përgjigje. Sot i pyeta drejtorët lokalë se me çfarë të drejte kanë filluar punimet. Për Përparim Ramen dhe Sokol Havollin do të bëj padi, sepse kanë njohur një të drejtë duke shkelur një tjetër. Jam i gatshëm ta mbroj pronën time dhe kam kontaktuar prokurorin për të marrë pjesë në proces,” përfundoi Dushullofci për EO.
The post Incidenti në “Rrugën A”, flet i arrestuari: Isha duke e mbrojtur pronën time – Komuna s’kishte pëlqimin tonë appeared first on Klan Kosova.