Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se analizat e fundit laboratorike kanë treguar praninë e manganit mbi kufijtë e lejuar në ujin e pijshëm që furnizohet nga Liqeni i Badocit.
Sipas të dhënave për periudhën 8–15 shtator 2025, në zonën PR03 – Badoc janë regjistruar këto vlera:
Më 9 shtator, në Rrugën “Hyzri Talla”, u regjistrua përqendrimi 0.429 mg/L.
Më 11 shtator, në Rrugën “Muharrem Fejza”, u regjistrua 0.449 mg/L.
Më 15 shtator, në Rrugën “Enver Maloku”, u regjistrua 0.117 mg/L.
Të gjitha këto tejkalojnë kufirin e lejuar prej 0.05 mg/L, të përcaktuar me Udhëzimin Administrativ Nr. 10/2021 “Për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu”.
IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Badoc të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.
Uji mund të shfrytëzohet vetëm për pastrim, mirëmbajtje të higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.