E premte, 8 Gusht, 2025
spot_img
HomeLajmeIKShPK: S’ka asnjë rast me virusin “Chikungunya” në Kosovë a rajon

IKShPK: S’ka asnjë rast me virusin “Chikungunya” në Kosovë a rajon

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në vendin tonë, por as në rajon, nuk është raportuar asnjë rast i prekjes nga virusi “Chikungunya”.

Përmes një njoftimi dërguar mediave, IKShPK tha se po i përcjellë me vëmendje zhvillimet sa i përket situatës epidemiologjike me “Chikungunya” në nivel global, pas raportimeve për rritjen e numrit të rasteve në disa vende të botës.

“Në Kosovë dhe në vendet në rajon nuk është raportuar asnjë rast i kësaj sëmundjeje”, u tha në njoftimin e IKShPK-së, raporton Klankosova.tv.

Sipas institutit, “Chikungunya” është një sëmundje virale e transmetuar përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, veçanërisht të llojeve Aedes aegypti dhe Aedes albopictus.

U tha se kjo sëmundje nuk përhapet nga personi në person, por vetëm përmes mushkonjës që e bart virusin.

Megjithatë, me qëllim të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit, IKShPK rekomandon qytetarët që, potencialisht, udhëtojnë në vendet ku janë regjistruar raste, që të zbatojnë masat parandaluese si në vijim:

  • Përdorni repelentë kundër mushkonjave
  • Mbuloni sipërfaqet e ekspozuara të trupit me rroba të gjata
  • Reduktoni ekspozimin ndaj mushkonjave
  • Nëse zhvilloni simptoma si ethe, temperaturë, dhimbje kyçesh, skuqje lëkure brenda dy javësh nga kthimi në vend, njoftoni mjekun dhe tregoni vendin e udhëtimit.

IKShPK njofton po ashtu se në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve laboratorike, ka siguruar teste diagnostikuese për konfirmim të rasteve të dyshimta.

Çfarë është “Chikungunya”?

“Chikungunya” është një sëmundje virale e transmetuar përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, veçanërisht të llojeve Aedes aegypti dhe Aedes albopictus. Kjo sëmundje nuk përhapet nga personi te personi, por vetëm përmes mushkonjës që bart virusin.

Emri dhe origjina

Fjala “Chikungunya” vjen nga një gjuhë lokale në Tanzani dhe nënkupton “ai që përkulet”, për shkak të mënyrës së ecjes së pacientëve që vuajnë nga dhimbje të forta në kyçe. Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1952, dhe që atëherë është përhapur në mbi 110 vende të botës.

Simptomat

Simptomat shfaqen zakonisht 3–7 ditë pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar dhe përfshijnë:

  • Ethe të larta
  • Dhimbje të forta në kyçe (simptomë karakteristike)
  • Dhimbje muskujsh
  • Dhimbje koke
  • Lodhje dhe plogështi
  • Skuqje të lëkurës
  • Ënjtje e kyçeve

Në shumicën e rasteve, përmirësimi ndodh brenda një jave, por dhimbjet e kyçeve mund të vazhdojnë për muaj ose vite, veçanërisht tek të moshuarit.

Kush është në rrezik më të lartë?

  • Të porsalindurit (nëse nëna është e infektuar)
  • Personat mbi 65 vjeç
  • Personat me sëmundje kronike (si diabeti, sëmundje të zemrës, hipertensioni)

Megjithëse simptomat mund të jenë të rënda, vdekjet nga chikungunya janë të rralla.

Diagnostikimi dhe trajtimi

  • Nuk ka ilaç specifik antiviral për chikungunya.
  • Diagnoza bëhet përmes testeve të gjakut që zbulojnë praninë e virusit ose antitrupave.
  • Trajtimi është simptomatik:
  • Përdorimi i paracetamolit për temperaturë dhe dhimbje
  • Pushim i mjaftueshëm
  • Hidratim i mirë (ujë dhe lëngje)
  • Shmangia e aspirinës ose ibuprofenit nëse dyshohet për dengue

A ka vaksinë?

Aktualisht nuk ka vaksinë të licencuar për përdorim të gjerë kundër chikungunya, edhe pse disa janë në fazë testimi. Prandaj, parandalimi është masa më efektive.

Si mbrohemi nga Chikungunya?

  • Elimino ujin e ndenjur rreth shtëpisë (vazo, kazanë, goma, enë plastike)
  • Mbulo enët me ujë dhe pastro i rregullisht
  • Vendos rrjeta në dritare dhe përdor repelent kundër mushkonjave
  • Vishu me rroba me mëngë të gjata, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje

Situata globale

“Chikungunya” është përhapur në më shumë se 110 vende në Afrikë, Azi, Amerikë Latine dhe Evropë. Ndryshimet klimatike dhe rritja e udhëtimeve ndërkombëtare kanë rritur rrezikun e përhapjes së saj në zona të reja.

Burimi: Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO)

The post IKShPK: S’ka asnjë rast me virusin “Chikungunya” në Kosovë a rajon appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT