IKSHPK paralajmëron: Uji i Badocit nuk duhet përdorur për pije, niveli i manganit ende i lartë

IKSHPK paralajmëron: Uji i Badocit nuk duhet përdorur për pije, niveli i manganit ende i lartë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar që qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit e Badocit të mos përdorin ujin për pije, pasi analizat e fundit laboratorike kanë treguar rritje të nivelit të manganit.

Sipas IKSHPK-së, përqendrimi i manganit në ujin e liqenit dhe rrjetin shpërndarës ka tejkaluar kufirin e lejuar sipas Udhëzimit Administrativ për cilësinë e ujit të pijshëm, ndonëse ende nuk ka kaluar pragun që konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.


“Për të mbrojtur shëndetin publik, uji i Badocit nuk duhet përdorur për konsum, por mund të shfrytëzohet për pastrim dhe higjienë personale. Ndotja me mangan është ndotje kimike dhe vlimi i ujit nuk e eliminon atë,” thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Në bashkëpunim me KRU “Prishtina”, janë intensifikuar masat për menaxhimin e situatës, përfshirë shpërlarjen e rrjetit shpërndarës dhe uljen e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë.

Ndërkohë, kompania e ujësjellësit ka paralajmëruar se do të sigurojë furnizim me ujë të pijshëm për zonat e prekura përmes autoboteve, sipas një orari të veçantë.

Kontrollet mbi cilësinë e ujit do të vazhdojnë deri në normalizimin e gjendjes, ndërsa qytetarët janë ftuar të ndjekin njoftimet zyrtare për informata të përditësuara. /Telegrafi/