Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Qasja e ekzekutivit në të dhënat penale të qytetarëve”, në të cilin analizohet Draft Udhëzimi Administrativ (Draft-UA) për përcaktimin e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë (MD) në Sistemin e Evidencës Penale (SEP). Kjo e fundit, paraqet databazën që përmban të dhëna mbi dënimet penale të qytetarëve dhe që sipas ligjit administrohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Fillimisht, IKD thekson se Ligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale (Ligji për SQEP) i njeh MD-së qasje në këtë sistem, por vetëm në raport me kompetencat që ajo ka.
“Sipas kompetencave që ka, qasja e MD-së në këtë sistem lidhet ekskluzivisht vetëm me shkëmbimin ndërkombëtar të të dhënave për persona të dënuar, sipas legjislacionit në fuqi. Kështu, përtej kësaj kompetence, sipas Ligjit për SQEP, MD nuk ka të drejtë të ketë forma tjera të qasjes në SEP”.
Më tej, në raport thuhet edhe se Ligji për SQEP nuk e trajton “qasjen e plotë” si të drejtë të pakufizuar për hyrje në të dhënat penale të qytetarëve, por e ndërlidhë atë qartë me funksionet dhe kompetencat konkrete të MD-së. Pra, “qasja e plotë” nuk është literale, por funksionale, ajo ekziston vetëm në masën që i nevojitet MD-së për ushtrimin e detyrave të saj të përcaktuara me ligj. Draft-UA e shkëput këtë lidhje dhe e interpreton termin në kuptimin e tij literal, si të drejtë për qasje të përgjithshme në të dhënat penale të qytetarëve, duke e zgjeruar në praktikë përtej kufijve që parashikon ligji.
Ndërkaq, theksohet edhe se Draft-UA nuk kufizohet në rregullimin e hyrjes në sistem por sipas kufizimeve që Ligji cakton. Ky parasheh që MD mund të: tërheqë të dhëna nga SEP, krijojë kopje të tyre, përpunojë të dhëna individuale dhe masive, përdorë të dhënat për analiza dhe statistika, si dhe të ruajë regjistra të qasjes për periudha shumë të gjata, deri edhe përgjithmonë në rastin e qasjes në të dhëna masive.
Andaj, IKD vlerëson se në këtë mënyrë, roli i MD-së zhvendoset nga një përdorues sipas kompetencave që ka në fushën e shkëmbimit ndërkombëtar të të dhënave për personat e dënuar, në një qasje të pakufizuar në të dhënat e ndjeshme personale të qytetarëve.


