Në Tiranë ka nisur sot punimet Konferenca Ndërkombëtare e Qeverisjes 2025 (#IGC2025), një forum global që synon të bëhet ngjarje e përvitshme dhe pikë referimi për debatin mbi të ardhmen e qeverisjes.
Konferenca, e organizuar nga ish-deputeti dhe eksperti i qeverisjes Besnik Tahiri, mblodhi liderë politikë, ambasadorë dhe ekspertë ndërkombëtarë, mes tyre edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Tahiri, në hapje të punimeve, theksoi se ky forum është një moment reflektimi, por edhe thirrje për veprim, duke paralajmëruar se nëse qeverisja nuk pëson një ristrukturim të thellë, ajo rrezikon të kthehet nga promotor i zhvillimit në pengesë.
“Institucionet duhet të jenë më fleksibël, më transparente dhe më efikase, përballë një bote që ndryshon me shpejtësi dhe bëhet gjithnjë e më komplekse,” tha ai.
Në panelin e parë, me temën “Sfidat dhe mundësitë e qeverisjes në një botë që evoluon me shpejtësi”, dhanë mesazhe të qarta liderë dhe diplomatë të rëndësishëm:
Kryeministri Edi Rama: “Lidershipi i vërtetë testohet në kohë krize, dhe koha jonë është pikërisht kjo provë.”
Ambasadori britanik Nicholas Abbott: “Demokracia nuk eksportohet, ajo ndërtohet nga brenda.”
Eksperti Harry Hardman: “Shërbimet për qytetarët janë aseti ynë i vetëm dhe duhen ofruar me efikasitet.”
Përfaqësuesi i Bankës Botërore, Massimiliano Paoluçi: “Partneritetet publiko–private janë çelësi për zhvillim të qëndrueshëm.”
Duke komentuar diskutimet, Tahiri theksoi se këto reflektime dëshmojnë qartë se rigjallërimi i qeverisjes është domosdoshmëri, jo opsion. Ai shtoi se sektori publik duhet të sfidojë vetveten për të funksionuar me efikasitet, llogaridhënie dhe inovacion të ngjashëm me sektorin privat.
“#IGC2025 është një hap drejt një epoke të re të qeverisjes, ku institucionet mësojnë, përshtaten dhe veprojnë me guxim,” përfundoi Tahiri.