I shpallur në kërkim ndërkombëtar për drogë, arrestohet në Spanjë 25-vjeçari shqiptar

news image

Një 25-vjeçar nga Laçi i Shqipërisë është arrestuar në Spanjë si pjesë e një operacioni ndërkombëtar të Policisë së Shtetit, raporton Gazeta Sinjali.

Policia e Shtetit bën të ditur se vijon intensivisht bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për kapjen e shtetasve në kërkim. Si rezultat, u finalizua një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.

Falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe shkëmbimit në kohë reale me Interpol Madridin përmes Interpol Tiranës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit në kërkim ndërkombëtar A. Z., 25 vjeç, lindur në Laç, me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

A. Z. akuzohet se, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2023 ka kultivuar 10,900 bimë narkotike Cannabis Sativa në fshatin Kir, njësia administrative Pult, si dhe në afërsi të fshatit Theth, Shkodër.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtij shtetasi drejt Shqipërisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/