I riu shqiptar gjendet i varur në tabelën sinjalizuese në rrugët e Brukselit, mediat vendase: Metoda e njëjtë me ato që përdorin bandat meksikane

I riu shqiptar gjendet i varur në tabelën sinjalizuese në rrugët e Brukselit, mediat vendase: Metoda e njëjtë me ato që përdorin bandat meksikane

Trupi i një 29-vjeçari u gjet i varur në një tabelë sinjalizuese të dielën e kaluar në Bruksel.

Viktima është me origjinë shqiptare, konfirmon prokuroria e Brukselit, e cila e konsideron ngjarjen si të dyshimtë dhe ka hapur një hetim.


Në vendngjarje janë angazhuar Policia Federale Gjyqësore, një mjek ligjor dhe një hetues.

Ende është herët për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes, dhe nuk përjashtohet mundësia e vetëvrasjes, por gjithsesi bëhet fjalë për një akt dhune ekstreme, transmeton Top Channel.

Trupi u gjet pranë Westland Shopping, jo larg zonës së Peterbos, një vend ky strategjik për trafikun e drogës në Bruksel. Edhe pse nuk ka ndonjë lidhje të konfirmuar midis bandës së Peterbos dhe trupit të gjetur, kjo ngjarje përbën një tjetër fakt të rëndësishëm në një zonë të ndjeshme të kryeqytetit.

Nëse lidhja me trafikun e drogës konfirmohet, kjo ngjarje do të vendosë Brukselin në një situatë të re dhe shqetësuese.

Një burim i mirë informuar për gazetën La Capitale thekson se kjo ngjarje i ngjan metodave të përdorura nga bandat meksikane, të njohur për dhunën e tyre ekstreme dhe për përdorimin brutal të dhunës ndaj rivalëve, tradhtarëve apo atyre që nuk respektojnë rregullat e tyre.

Në një intervistë për gazetën Het Laatste Nieuws, drejtori i Drejtorisë së Policisë Federale në Bruksel, Eric Jacobs, përmend praninë e mafias së Marsejës dhe të famshmes Mocro-Mafisou me origjinë veriafrikane.

“Të gjithë përdorin të njëjtat metoda: kërcënime, vrasje,” thotë ai. Pyetja është nëse viktima e së dielës i përkiste kësaj bote mafioz dhe nëse u përdor si një paralajmërim për rivalët e tij. Hetimi i policisë do ta zbulojë këtë”.