Kandidati për kryetar të Pejës nga radhët e Alternativës, Reshat Nurboja, është tërhequr nga skena politike.
Rezultatet e pakënaqshme në këto zgjedhje janë pikërisht arsyeja e kësaj dorëheqjeje.
Në një prononcim për IndeksOnline, Nurboja pohoi se pretendimet janë të vërteta, duke thënë se ka marrë mesazhin e elektoratit.
“Unë veprimin moral e kam bërë. Jam tërhequr edhe prej Alternativës, edhe prej skenës politike. Kam marr mesazhin nga elektorati që s’kanë nevojë për mua, s’kanë nevojë për angazhimin tim politik. Si rezultat i këtillë ka qenë tërheqja nga Alternativa dhe nga skena politike në Kosovë” deklaroi Nurboja, transmeton Klankosova.tv.
Ai tha se rezultatet e zgjedhjeve nuk janë të kënaqshme për të, teksa vlerëson se udhëheqja aktuale e komunës, në krye me Gazmend Muhaxherin, duhet ndërruar.
“Vlerësimin tim e kam dhënë qysh në vitin 2013, kur ka ardhë ky kryetar aktual, që e ardhmja e Pejës është me shkuarjen e tij në pension dhe largimin nga politika”, shtoi ai.
I pyetur se cila do të ishte zgjidhja e duhur e qytetarëve pejanë në garën e balotazhit, Nurboja thotë: “Unë e kisha përkrahë kushdo qoftë në balotazh. Kuptohet, arsyeja është largimi i kësaj qeverisje të keqe 12-vjeçare. E përkrahi kandidatin e LVV-së, njëjtë si do ta kisha përkrahur çdo kandidat tjetër që do të ishte në balotazh.”
Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, Nurboja mori 277 vota, më saktë 0.67% të votave të përgjithshme në Pejë.
The post I mori veç 277 vota, jep dorëheqje kandidati i Alternativës për kryetar të Pejës appeared first on Klan Kosova.