Lulzim Toçi, 31 vjeçar, i cili vitin e kaluar vrau gruan e tij 24-vjeçare, Eleonora Toçi, në Caserta të Italisë, ka ndërruar jetë në burg.
Mediat italiane raportojnë se ai i dha fund jetës sot në burgun e Santa Maria Capua Vetere, ku po vuante dënimin për krimin e kryer më 9 tetor të vitit të kaluar.
Vetëvrasja ndodhi në zonën psikiatrike të institucionit, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij akti.
Lulzim Toçi kishte mbytur gruan e tij në shtëpinë e tyre, para syve të fëmijëve të tyre të vegjël, atëherë 6 dhe 4 vjeç, një krim që tronditi rëndë komunitetin shqiptar dhe italian.
Vrasja e Eleonora Toçi-s ka ndodhur në dhomën e gjumit të çiftit, ndërsa hetuesit kanë konfirmuar se ajo është kryer ndërsa viktima ka qenë duke fjetur.
Çifti kishte marrë një shtëpi më të madhe në “Via Caravaggio” për të jetuar me fëmijët e tyre, që tani kanë mbetur jetimë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!