Piloti francez, 39-vjeçari Romain Grosjean do të rikthehet në garat e Formula 1 pothuajse pesë vjet pas aksidentit të tmerrshëm që pësoi gjatë Çmimit të Madh të Bahreinit.
Në vitin 2020, Grosjean pati një aksident në pistën Sakhir ku makina e tij goditi gardhin me 225 kilometra në orë, duke u ndarë në dysh dhe duke u përfshirë nga flakët.
Francezi arriti të dilte nga makina pa ndihmë pas 28 sekondash, duke pësuar vetëm djegie të lehta në duar dhe këmbë.
Edhe pse më vonë tha se mendonte se do të vdiste, ai e nxori veten nga zjarri me vullnetin e tij të lirë për hir të fëmijëve të tij.
Ai nuk është ulur më kurrë në një makinë të Formula 1 dhe pothuajse pesë vjet më vonë po kthehet sepse do të testojë nesër (e premte) bolidin Haas VF-23 në pistën e Mugellos.
Drejtori i ekipit, Ayao Komatsu, i cili ishte inxhinier i Grosjean te Haas dhe Lotus, do të mbajë të njëjtin rol në Mugello.
Grosjean do të përdorë një helmetë të dizenjuar nga fëmijët e tij në Mugello, të cilën ai planifikoi ta vishte në garën e tij të fundit të vitit 2020 në Abu Dhabi. /Telegrafi/