Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës për kontrabandë mallrash dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë.
Sipas policisë, më 2 shtator në Korbliq të Kaçaikut, Task Forca e Drejtorisë Rajonale Kufitare Lindje, e përbërë nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, ka tentuar të ndalojë një automjet të tipit “Mercedes” kombi, i dyshuar për kontrabandë me mallra, por që i njëjti nuk është ndalur.
“I dyshuari nuk iu është bindur urdhrit të policisë dhe gjatë ndjekjes, në të njëjtin fshat, me automjetin e tij ka goditur automjetin zyrtar të policisë, i cili më pas është rrokullisur dhe ka përfunduar jashtë rrugës. Si pasojë, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Pas trajtimit në spitalin rajonal të Gjilanit, ata janë liruar”.
“Automjeti i dyshuar është gjetur i braktisur pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, i ngarkuar me mall të kontrabanduar, i cili është konfiskuar dhe i është dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, sipas policisë, mallrat e sekuestruara përfshijnë 13 mijë e 500 kuti cigare, 1 mijë e 600 kilogramë fara kungulli të pjekura, 460 kilogramë fara luledielli të pjekura, 100 kilogramë fara braziliane, 40 kilogramë ananas të tharë, 113.4 kilogramë brusnia të thara.
“Sipas vlerësimeve të tregut, mallrat e sekuestruara kapin shumën prej 23,794 € deri 29,877 €. Më datën 03.09.2025, rreth orës 14:00, i dyshuari M.S. (M/K), 46 vjeç, është arrestuar nga Policia Kufitare e Rajonit Lindje. Pas intervistimit nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Bëhet e ditur se prokuroria kompetente e ka cilësuar rastin si “Sulm ndaj personave zyrtarë”, ndërsa për kontrabandën me mallra, hetimet do të zhvillohen nga Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kufitare.
The post I lëndoi tre policë me veturë, arrestohet personi që dyshohet për kontrabandë mbi 29 mijë euro appeared first on Klan Kosova.