Shumë njerëz menjëherë pas zgjimit ndiejnë erë të pakëndshme goje. A jeni pyetur ndonjëherë pse kjo ndodh edhe pse i keni larë dhëmbët para gjumit dhe nuk keni ngrënë asgjë për orë të tëra?
Stomatologia Sofina Ahmed thotë se ka disa arsye pse shfaqet ky problem dhe se cilësia e gjumit, pështyma dhe sinuset mund të luajnë rol të madh.
“Kur flemë, sekrecioni i pështymës zvogëlohet dhe vazhdon të ulet edhe më shumë nëse flini me gojë hapur ose merrni frymë përmes gojës. Ky mungesë i pështymës do të thotë që goja juaj nuk pastrohet siç duhet, gjë që lejon shumimin e baktereve me erë të keqe, sidomos rreth gjuhës. Kjo nuk shkakton vetëm erë të keqe mëngjesi, por edhe një shije të hidhur në gojë”, tha ajo për Metro.co.uk.
Shije e kripur ose “e përgjakur” në gojë mund të jetë shenjë që diçka nuk është në rregull me sinuset. Është e mundur të keni infeksion, alergji ose rinit që mund të shkaktojë rrjedhje hundësh. Ky është një gjendje në të cilën mukoza gjatë gjumit rrëshqet poshtë në fyt.
“Kjo mukoze mund të përmbajë baktere, nënprodukte të inflamacionit dhe madje edhe gjurmë gjaku nga indet e irrituara. Kjo shpesh çon në shije të kripur dhe ‘metalike’ që zgjat”, shtoi ajo.
Gjatë natës, pështyma juaj bëhet më acidike sepse bakteret në gojë shpërbëjnë mbetjet e sheqerit ose të ushqimit, gjë që ndikon në “freskinë” e gojës. Rol në shfaqjen e erës së pakëndshme mund të ketë edhe laringofaringeal refluksi, i njohur si refluksi i heshtur. Ai ndodh kur acidi i stomakut dhe enzimat kthehen në fyt dhe në kordat vokale, por pa shkaktuar urthin tipik dhe shqetësimet e tretjes, transmeton Telegrafi.
“Edhe pa simptomat e zakonshme, acidi i stomakut mund të ngjitet gjatë natës në fyt dhe gojë, duke mbuluar gjuhën dhe duke lënë një shije të thartë ose ‘metalike’ që qëndron deri në mëngjesin e ardhshëm”, shpjegoi Ahmed.
Nëse nuk keni asnjë nga simptomat e përmendura, mendoni për cilësinë e gjumit kohët e fundit. Ata që vuajnë nga apnea e gjumit mund të humbin ndjeshmërinë ndaj shijeve të ëmbla, të kripura, të tharta dhe të hidhura. Sipas Cleveland Clinic, apnea e gjumit është e lidhur edhe me tharjen e gojës, e cila ndihmon përkeqësimin e erës së keqe.
Për t’u çliruar nga era e pakëndshme, stomatologia këshillon të pini një gotë ujë para gjumit dhe gjatë natës. Para se të flini, mund të përtypni edhe një çamçakëz pa sheqer. Ajo rekomandon edhe përdorimin e gjuhës. American Dental Association shton se pastrimi i gjuhës është po aq i rëndësishëm sa edhe larja e dhëmbëve, pasi aty grumbullohet pjesa më e madhe e baktereve që shkaktojnë erë.
Gjithashtu, Mayo Clinic sugjeron kufizimin e alkoolit dhe duhanit në mbrëmje, sepse të dyja e thajnë gojën dhe krijojnë kushte të favorshme për shumimin e baktereve. Vizitat e rregullta te dentisti dhe trajtimi i sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve janë mënyra të tjera të rëndësishme për ta mbajtur frymën të freskët. /Telegrafi/