Me qindra admirues, miq dhe kolegë u ndanë të shtunën përgjithnjë me stilistin e famshëm italian Giorgio Armani, i cili ndërroi jetë të enjten në moshën 91-vjeçare.
Homazhet u mbajtën në Milano, qyteti ku ai la gjurmën e tij, por që më tej shkeli në mbarë botën me një “elegancë të jashtëzakonshme”, siç u shpreh kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, ndër të parët që u paraqit për këtë rast.
“Milanoja është plot me gjurmë të Armanit. Do të jetë e pamundur ta harrojmë,” tha ai, dhe duke kujtuar një telefonatë me të ndjerin nga muaji gusht, u shpreh: “Më tha ‘E kuptoj që është një moment i vështirë. Ka gjithmonë diçka pozitive tek momentet e vështira. Miqtë e vërtetë e tregojnë veten. Unë jam miku yt i vërtetë.’ Këtë do ta mbaj mend përgjithmonë.“
Në ambientet pa zë të Teatrit Armani, ku qëndroi arkëmorti i tij, gjeje këtë fundjavë radhë pa fund njerëzish të zakonshëm, yje të Hollivudit, politikanë dhe artistë të arrirë nga fusha të ndryshme të jetës. Donatella Versace, një tjetër vigane e modës, erdhi me një buqetë me lule të bardha për mikun e saj.
“Gjurma që shpresoj që të lë ka ardhur prej punës, respektit dhe vëmendjes ndaj personave dhe realitetit. Nga aty fillon gjithçka,” ishin fjalët e fundit të Armanit, që u projektuan në një sfond të errët brenda sallës së ndriçuar me qirinj të vendosur saktësisht poshtë një fotoje të stilistit të ndjerë. E gjithë godina kundërmonte era temjan.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!