Xhamia e Madhe në Prishtinë shënon manifestimin qendror të festës së Fitër Bajramit.
Ky objekt fetar mblodhi shumë besimtarë në mëngjesin e hershëm këtë të premte, për ta falur namazin e Bajramit, nën udhëheqjen e kryeimamit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti, raporton Klan Kosova.
E hytben tradicionale e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili ju drejtua besimtarëve me mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkimi.
Ai nuk u kursye kur foli për telashet me të cilat po përballet shoqëria dhe vendi.
“S’ka dyshim që edhe shoqëria jonë po përballet me sfida të shumta. Shpesh shohim tensione, përçarje, vështirësi në zgjidhjen e problemeve politike apo sociale, të cilat direkt prekin jetën e qytetarit. Duhet ditur se dialogu është më i fort se përçarja, se urtësia është me e fort se zemërimi, se përgjegjësia është më e fort se interesi personal”, tha Tërnava.
Derisa nuk u tregua edhe aq i butë karshi klasës politike në Republikën e Kosovës. Madje edhe kritik.
Myftiu tha se interesat e vendit dhe kombit duhet të jenë mbi çdo interes tjetër.
“Është e pa pranueshme që sot në kohë paqeje dhe në kushte të një sistemi demokratik, vendi ynë të ngecë për shkak të vullnetit politikë për kompromis, dialog, përgjegjësi dhe për pasojë zhvillimi i shoqërisë sonë të mbetet peng i krizave politike”, deklaroi Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Në mes tjerash, Tërnava shtoi se historia do të gjykojë jo vetëm për vendimet që janë marrë por edhe momentet kur përgjegjësia shmanget. /Klankosova.tv


