
Hysen Çekaj kandidati më i votuar nga mërgata nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) nuk kandidoi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Këtë e bëri të ditur vet Çekaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook duke treguar edhe arsyen.
Çekaj tha se përgjegjësia që ka për familjen e tij sidomos për nënën, bën që mos të jetë pjesë e kësaj liste zgjedhore.
“Siç e keni parë, kësaj radhe nuk do të jem kandidat për Kuvendin e Kosovës. Vullnetin, energjinë dhe bindjen për fitoren tonë të përbashkët i kam të plota – ato nuk më kanë munguar kurrë. Por, përballë përgjegjësive që kam ndaj familjes sime, e sidomos ndaj nënës time, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për praninë dhe përkujdesjen time, me keqardhje ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e listës”.
Tutje ai tha se ky vendim nuk e ndalon angazhimin e tij.
“Përkundrazi – mbetem plotësisht aktiv në organizimin e mërgatës sonë të mrekullueshme dhe të përkushtuar. Përmes kësaj deklarate, dua t’i ftoj të gjithë bashkatdhetarët e mi në përkrahje të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të ndryshimit të domosdoshëm që vendi ynë, Kosova jonë, ka aq shumë nevojë”, ka shkruar Çekaj. /Telegrafi/


