Saturday, March 7, 2026
spot_img
HomeLajmeHungaria i bllokon çdo tranzit me rëndësi Ukrainës

Hungaria i bllokon çdo tranzit me rëndësi Ukrainës

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka deklaruar bllokadë totale ndaj Ukrainës, duke ndalur tranzitin e mallrave dhe karburanteve përmes territorit të tij.

Ky vendim vjen si kundërpërgjigje ndaj ndalimit të naftës ruse nga Kievi, ndërsa situata është rënduar me arrestimin e disa zyrtarëve bankarë ukrainas në Budapest.

“Ne nuk do t’i dorëzohemi shantazhit. Nuk do të braktisim energjinë e lirë ruse, sepse kjo do të shkatërronte miliona familje hungareze. Kjo nuk është lufta jonë. Ne nuk do të japim para për ukrainasit dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Europian. Ne kemi ndalur furnizimin me benzinë dhe naftë për Ukrainën. Derisa të rikthehet furnizimi me naftë ruse përmes tubacionit ‘Druzhba’, ne do të bllokojmë çdo tranzit me rëndësi për Ukrainën që kalon nga Hungaria”, deklaroi Viktor Orban.

Orban përdori një gjuhë tejet të ashpër, duke sfiduar hapur qëndrueshmërinë financiare të Ukrainës në luftë.

“Ukrainasve do t’u mbarojnë paratë përpara se neve të na mbarojë nafta. Nëse ata luajnë me hungarezët, na shantazhojnë rëndë, nuk mund të presin që ne të marrim vendime financiare në Bruksel duke mbështetur Ukrainën, dhe as ne nuk do ta bëjmë. Derisa të rivendoset rendi, ne do të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion”, tha Orban.

Por konflikti ka përshkallëzuar edhe më tej. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, ka akuzuar Budapestin për ndalimin e shtatë punonjësve të Bankës Shtetërore të Ukrainës, ndërsa shtoi se vendndodhja e tyre ende nuk dihet.

Përmes një postimi në X, ai shtoi se ata po transportonin rreth 40 milionë dollarë, 35 milionë euro dhe 9 kilogramë flori nga Austria drejt Ukrainës, kur u ndaluan në territorin hungarez.

Sinjali GPS tregonte se makinat ishin pranë një ndërtese të shërbimeve të sigurisë së Hungarisë në Budapest. Kievi e ka cilësuar këtë si një “veprim të paligjshëm” dhe i ka kërkuar Bashkimit Europian të ndërhyjë urgjentisht.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT