Si të kuptoni kur kujtesa ka nevojë për kujdes mjekësor
Truri gjatë jetës pëson ndryshime dhe zvogëlohet, ndërsa për të kompensuar këtë proces ndodh mbivendosja e rrjeteve nervore, gjë që mund të sjellë hutim të lehtë dhe rënie të aftësive njohëse. Megjithatë, demenca nuk është pjesë natyrale e plakjes.
Humbja e kujtesës apo demenca?
A ju ka ndodhur ndonjëherë të hyni në kuzhinë dhe të harroni pse keni hyrë aty? Momente të tilla nuk janë domosdoshmërisht arsye për shqetësim, pasi harresa është pjesë normale e plakjes. Po ashtu, nuk është e pazakontë të keni vështirësi në kryerjen e detyrave që nuk i bëni çdo ditë, shpjegon dr. Lisa Bilars, shefe e neurologjisë dhe mjekësisë së gjumit në Kaiser Permanente, Atlanta.
Por, nëse harresa ose ndryshimet e tjera njohëse shfaqen shpesh ose pengojnë jetën e përditshme, ato nuk duhet të anashkalohen. Edhe pse aftësia për të kujtuar ndryshon me kalimin e viteve, disa lloj ndryshimesh mund të jenë shenja të hershme të demencës, të cilat shpesh janë të vështira për t’u dalluar vetë.
Truri zvogëlohet me kalimin e moshës
Ashtu si pjesët e tjera të trupit, edhe truri plaket. Tek personat e moshuar, zvogëlohet korteksi ballor, pjesa e trurit përgjegjëse për të menduar, për të marrë vendime dhe për kujtesën. Kur kjo zonë dobësohet, truri mbështetet në rrjete të tjera nervore për të ruajtur funksionet njohëse. Por, kur këto rrjete mbivendosen, mund të shfaqen vështirësi më të mëdha në përqendrim dhe kujtesë.
“E dimë se, teksa plaket njeriu, organizimi i rrjeteve tona nervore ndryshon”, thekson dr. Carolyn Fredericks nga Fakulteti i Mjekësisë në Yale, e cila merret me hulumtimin e sëmundjes së Alzheimerit, transmeton Telegrafi.
Çrregullimi i lehtë njohës
Ndonjëherë ndryshimet e zakonshme të kujtesës përkeqësohen. Tek disa persona diagnostikohet një gjendje e quajtur çrregullim i lehtë njohës, më serioz se humbja e zakonshme e kujtesës, por ende më i lehtë se demenca.
Personat me çrregullimi të lehtë njohës shpesh humbin sende, harrojnë ngjarje të rëndësishme ose kanë vështirësi të gjejnë fjalën e duhur gjatë bisedës.
Edhe pse nuk është aq serioz sa demenca, kjo gjendje duhet marrë me kujdes: rreth gjysma e njerëzve me ÇLN me kalimin e kohës zhvillojnë demencë, ndërsa gjysma tjetër jo.
Shenjat e hershme të demencës
Demenca nuk është pjesë normale e plakjes. Edhe pse truri ndryshon me moshën, ndryshimet neurologjike në demencë janë të tjera dhe më të theksuara.
Sipas Shoqatës Amerikane për Alzheimerin, shenjat e hershme të demencës përfshijnë:
- Humbje kujtese që pengon aktivitetet e përditshme
- Vështirësi në zgjidhjen e problemeve
- Vështirësi në kryerjen e detyrave të njohura më parë
- Hutim me data, kohë dhe vendndodhje
- Probleme në kuptimin e imazheve ose hapësirës
- Vështirësi me fjalët e folura apo të shkruara
- Humbje të shpeshta të sendeve dhe paaftësi për t’i gjetur përsëri
- Gjykim apo vendimmarrje të dobët
- Izolim nga njerëzit e tjerë
- Ndryshime në humor dhe personalitet
Kur duhet të shqetësohemi dhe të vizitojmë mjekun?
Një humbje e herëpashershme e kujtesës nuk është shqetësuese. Por, kur problemet fillojnë të bëhen të shpeshta, për shembull humbja e shpeshtë e sendeve, kjo mund të jetë tregues i një problemi më serioz, paralajmëron dr. Fredericks. /Telegrafi/