Si ta kuptoni kur kujtesa ka nevojë për kujdes mjekësor
Truri, ashtu si çdo pjesë tjetër e trupit, pëson ndryshime me kalimin e viteve. Me plakjen, ai zvogëlohet, ndërsa për të kompensuar këtë proces ndodh mbivendosja e rrjeteve nervore, gjë që shpesh sjell hutim të lehtë dhe rënie të aftësive njohëse. Megjithatë, ekspertët theksojnë se demenca nuk është pjesë natyrale e plakjes.
Humbja e kujtesës apo demenca?
Shumë njerëz përjetojnë momente të vogla harrese, siç është hyrja në kuzhinë dhe harrimi i arsyes pse shkuan aty. Këto nuk janë domosdoshmërisht arsye për shqetësim, pasi harresa e lehtë është pjesë normale e plakjes. Po ashtu, vështirësitë në kryerjen e detyrave të rralla nuk konsiderohen problematike, shpjegon dr. Lisa Bilars, shefe e neurologjisë dhe mjekësisë së gjumit në Kaiser Permanente, Atlanta.
Por, nëse harresa ose ndryshimet e tjera njohëse shfaqen shpesh dhe fillojnë të pengojnë jetën e përditshme, ato nuk duhet injoruar. Sipas mjekëve, disa prej këtyre ndryshimeve mund të jenë shenja të hershme të demencës – gjendje që shpesh është e vështirë për t’u dalluar pa ndihmën e specialistëve.
Truri plaket me moshën
Me kalimin e kohës, edhe korteksi ballor i trurit – pjesa përgjegjëse për mendimin, vendimmarrjen dhe kujtesën – fillon të zvogëlohet. Si pasojë, truri mbështetet në rrjete të tjera nervore për të ruajtur funksionet njohëse. Por kur këto rrjete mbivendosen, mund të shfaqen probleme me përqendrimin dhe kujtesën.
“E dimë se, teksa plaket njeriu, organizimi i rrjeteve tona nervore ndryshon”, thekson dr. Carolyn Fredericks nga Fakulteti i Mjekësisë në Yale, e cila merret me hulumtimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Çrregullimi i lehtë njohës
Kur problemet e kujtesës bëhen më të shpeshta se zakonisht, disa persona diagnostikohen me çrregullim të lehtë njohës. Kjo gjendje nuk është aq serioze sa demenca, por është më e rëndë se harresa e zakonshme.
Personat me këtë çrregullim shpesh humbin sende, harrojnë ngjarje të rëndësishme ose kanë vështirësi në gjetjen e fjalëve gjatë bisedave. Megjithëse jo gjithmonë përparon, rreth gjysma e pacientëve me këtë gjendje me kalimin e kohës zhvillojnë demencë, ndërsa pjesa tjetër jo.
Shenjat e hershme të demencës
Sipas Shoqatës Amerikane për Alzheimerin, simptomat që duhen marrë seriozisht janë:
Humbje kujtese që pengon aktivitetet e përditshme
Vështirësi në zgjidhjen e problemeve
Probleme në kryerjen e detyrave të njohura
Hutim me data, kohë dhe vendndodhje
Vështirësi në kuptimin e imazheve ose hapësirës
Probleme me të folurën ose shkrimin
Humbje të shpeshta të sendeve dhe paaftësi për t’i gjetur
Vendimmarrje të dobët
Izolim nga njerëzit e tjerë
Ndryshime në humor dhe personalitet
Kur duhet të kërkojmë ndihmë mjekësore?
Një humbje e herëpashershme e kujtesës nuk është shqetësuese. Por kur problemet fillojnë të përsëriten shpesh, si humbja e shpeshtë e sendeve ose hutimi i vazhdueshëm, kjo mund të tregojë për një gjendje më serioze. “Në raste të tilla, vizita te mjeku është e domosdoshme”, paralajmëron dr. Fredericks.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!