Policia e Shtetit ka bërë të ditur se sot e kishin gjetur një fëmijë në plazhin e Shëngjinit, pasi ishte larguar nga prindërit e tij nga Kosova.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, fëmijën 8-vjeçar.
“Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë që patrullojnë me biçikleta në zonën e plazhit në Shëngjin u angazhuan dhe koordinuan veprimet me vrojtuesin e plazhit për gjetjen e fëmijës”.
“Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e Policisë e lokalizuan të miturin pranë një hoteli. Fëmija ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë nënës së tij”, thuhet në njoftim.
Policia njoftoi se nëna e fëmijës ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe vrojtuesit të plazhit për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturit. /Klankosova.tv
The post Humb në plazhin e Shëngjinit 8 vjeçari nga Kosova, pas një ore e gjen policia appeared first on Klan Kosova.