Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sonte në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova ka folur për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit në vend.
Sipas tij, Kushtetuta e vendit e jep qartë idenë se Presidenti duhet të dalë nga një proces dialogu dhe marrëveshjeje mes partive politike.
“Ajo se çka parashihet në Kushtetutë, nuk është problem që Kushtetuta nuk e ka definuar. Kushtetuta e ka dhënë një ide të qartë, Presidenti do të duhej të zgjidhej mes teje, meje, dikujt të tretit, të katërtit, të pestit, të votohet në Kuvendin e Kosovës dhe të jetë President i neve 5 apo 6 apo 7 shtatë partive politike dhe i gjithë komuniteteve të cilat përfaqësohen në Kuvend të Kosovës, si rezultat i një dialogu ndërpartiak se kush mund të jetë ky njeri, për ta ushtruar këtë post”, tha ai.
Ai foli gjithashtu edhe për zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët, duke thënë se në një skenar të tillë ekziston rreziku që posti të fitohet nga një kandidat i mbështetur kryesisht nga një parti e vetme, gjë që sipas tij mund ta bëjë figurën e presidentit më shumë partiake sesa gjithëpërfshirëse.
“Është më mirë sesa vetëm të zgjidhej direkt prej votës qytetare, se vota qytetare mund të jetë e tillë që një kandidat i një partie del, e fiton raundin e parë, hyn në raund të dytë, i merr edhe pak vota më shumë dhe bëhet President i vendit, por në fakt është President më shumë partiak”, tha Hoxhaj./Klankosova.tv


