Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se së fundi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore të vendit, për të cilat dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë. Ai tha se Policia është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po kryen monitorime të situatës.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet.”, tha Hoxha pas ceremonisë së shkatërrimit të armëve.
Ai theksoi se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR.”, u shpreh Hoxha.
Më tej, ai bëri të ditur se institucionet ndërkombëtare janë njoftuar për këtë situatë dhe se përgjegjësia i takon KFOR-it.
“Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim.”, tha Hoxha.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!