Hoti: Vendimi i ShBA-së është “zile alarmi” për Kosovën, Osmani s’e mbrojti Kushtetutën nga sulmet e Kurtit

news image

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një goditje serioze për shtetin dhe me pasoja afatgjata nëse nuk ndryshon kursi politik.

“Goditja që mori dje shteti i Kosovës nga ndërprerja e dialogut strategjik Kosovë-SHBA do të ketë pasoja afatgjata nëse nuk ndryshon kursi i zhvillimeve politike. Të mos harrojmë se jemi edhe nën masa financiare të BE-së për më shumë se dy vjet.”

Ai kritikoi Presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se vendimi i ShBA-së do të ishte i shmangshëm nëse ajo do të kishte përmbushur detyrimin kushtetues për të mbrojtur Kushtetutën, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, institucionet e drejtësisë, gazetarët, bizneset dhe komunitetet pa dallim nga presioni i deputetit Albin Kurti dhe Vetëvendosjes.

“Ky vendim i SHBA-së do të ishte i shmangshëm sikur Presidentja Osmani ta kishte përmbushur detyrimin e saj kushtetues, duke marrë përgjegjësinë për të mbrojtur Kushtetutën dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, institucionet gjyqësore e prokuroriale, gazetarët, bizneset dhe komunitetet pa dallim nga sulmet dhe presioni i Kurtit dhe Vetëvendosjes. Në vend të kryerjes së obligimit të saj kushtetues, Osmani në vazhdimësi zgjidhte heshtjen ose radhitej pas Kurtit.” – shtoi Hoti.

Sipas Hotit, vendimi i Uashingtonit është një “zile e re alarmi” për ata që mbajnë përgjegjësi politike dhe institucionale, të cilët, sipas tij, “vitet e fundit Kurti i ka tërhequr zvarrë drejt narratives së tij populiste popullizmit të mbrapshtë që solli këtë vendim të SHBA-së”.

“Ky vendim i SHBA-së është zile e re alarmi për ata që bartin përgjegjësi institucionale apo politike, shumë prej të cilëve viteve të fundit Kurti i ka tërhequr zvarrë drejt narratives së tij të popullizmit të mbrapshtë që solli këtë vendim të SHBA-së.

Zilja ra sërish dhe shumë fuqishëm. Nesër, kur mund të bëhet vonë, askush nuk mund të thotë se nuk u zgjua ngase nuk i ra kush ziles.

Zilja kishte rënë edhe në fillim të vitit 2020. Atëherë, LDK-ja zgjodhi partneritetin me SHBA-në para ruajtjes së pozitave qeveritare.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/