Wednesday, April 1, 2026
spot_img
HomeLajmeHoti propozon masa për përballimin e krizës së çmimeve të derivateve në...

Hoti propozon masa për përballimin e krizës së çmimeve të derivateve në Kosovë

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka folur në Facebook për rritjen e ndjeshme të çmimeve të derivateve dhe ka dhënë një sërë masash që, sipas tij, Qeveria duhet të ndërmarrë për të mbrojtur konsumatorin dhe ekonominë kosovare.

Ai ka theksuar se çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind që nga 28 shkurt 2026, kur nisën sulmet, dhe kjo ka rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, duke u reflektuar tek çmimet e produkteve për konsumatorët.

Hoti paralajmëron se Kosova, si ekonomi e importit të lartë të energjisë dhe me të ardhura të ulëta, është ndër më të prekshmet nga kjo krizë.

Hoti kritikoi masën e vetme të ndërmarrë nga Qeveria – përcaktimin e marzheve të fitimit për bizneset – duke theksuar se kjo nuk mbron konsumatorin dhe mund të përkeqësojë konkurrencën:

“Caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori. Kjo masë nuk e mbron konsumatorin dhe nuk krijon nxitje për uljen e shpenzimeve të bizneseve.”, shkroi ai.

Deputeti gjithashtu ka shpjeguar rolin ligjor dhe kushtetues të shtetit në situata të tilla, duke theksuar se Qeveria duhet të mbrojë konsumatorin, të parandalojë sjelljet abuzive dhe të ruajë konkurrencën, ndërsa masat duhet të jenë të balancuara dhe të ndërvarura.

Hoti ka sugjeruar disa masa konkrete që duhet të ndërmarrë Qeveria: monitorim të tregut nga Inspektorati i Tregut, aktivizim të Komisionit të Konkurrencës, ulje të akcizës deri në 36 cent për litër, subvencionim të bujqve për derivatet, dhe investime në depo të derivateve për të përballuar periudhat e luhatjeve të tregut.

“Kostot e paevitueshme duhet të shpërndahen gjerësisht mes shtetit, bizneseve dhe konsumatorëve. Masat duhet të jenë balancuese dhe të kushtëzuara nga njëra-tjetra,” ka theksuar Hoti në postimin e tij.

Ai paralajmëron se pa ndërhyrje të mençura dhe të koordinuara, kriza do të rezultojë me çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët në Kosovë.

Në postimin e tij, Hoti bën thirrje që Qeveria të ndërmarrë veprime të menjëhershme për mbrojtjen e qytetarëve dhe stabilizimin e tregut të derivateve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT