Në Maqedoninë e Veriut, historia politike është gjithmonë një betejë midis shpresës dhe frikës, midis vizionit dhe manipulimit. Dështimet e qeverive të mëparshme, përfshirë përpjekjet e Zoran Zaevit për reformë dhe integrim, krijuan terren për ringjalljen e nacionalizmit dhe për fuzionimin e frymëve që historikisht dukeshin të kundërta. “Fryma zaeviste”, shpresa për kompromis, reforma dhe integrim euroatlantik u shkrinë me frymën nacionaliste të Mickoskit duke u përdorur nga oligarkia dhe legjitimuar nga influenca e botës serbe për të dobësuar rolin e shqiptarëve si faktor shtetformues. Për pasojë, homogjenizimi politik maqedonas dhe koketimi me botën serbe, paraqesin një ndërthurje të çuditshme politike me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin ndëretnik. Rreziku që paraqet ky homogjenizim për të gjithë hapësirën shqiptare, si dhe nevoja urgjente për një vizion të ri shtetëror, diplomatik dhe politik, nuk lejon kthimin pas të historisë.
Historia e tranzicionit politik ka treguar se elitat përdorin me mjeshtëri retorikën e kërcënimit për të ruajtur pushtetin dhe për të manipuluar opinionin publik. Kulmi i kësaj logjike u pa me projektin “Shkupi 2014” të Gruevskit, ku një identitet historik i mitizuar shërbeu për të mobilizuar frikën dhe për të legjitimuar autoritetin. Me ardhjen e Zaevit, u krijua një shpresë për ndryshim: pajtim etnik, orientim euroatlantik dhe një narrativë politike e bazuar mbi integrimin, jo mbi frikën. Megjithatë, kjo shpresë u shua nga skandalet e korrupsionit, kriza e drejtësisë dhe mungesa e reformave konkrete, duke hapur rrugën për rikthimin e nacionalizmit si bosht politik. Pikërisht në këtë hapësirë, Mickoski ndërtoi profilin e vet.
Pas dështimit të Zaevit, “fryma zaeviste” u shkri me “frymën e Mickoskit”, duke krijuar një projekt të ri politik: rishkrimin e ekuilibrave dhe delegjitimimin e lidershipit të shqiptarëve, përfshirë partinë e dalë nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit. Ky fuzionim, i sponsorizuar nga oligarkia dhe legjitimuar nga bota serbe, synon të rikthejë kontrollin mbi strukturat shtetërore, të dobësojë shqiptarët si faktor shtetformues dhe të përdor tensionet etnike si instrument për stabilizimin e status quo-së. Pasojat për shoqërinë janë të dukshme: përfaqësimi politik shqiptar fragmentohet, barazia ndëretnike minimizohet dhe stabiliteti social rrezikohet duke e shndërruar shoqërinë në një arenë ku frika dhe polarizimi bëhen norma.
Ky projekt i menduar mirë i koalicionit Zaev-Mickoski, gjeti partitë shqiptare në Maqedoni të papërgatitura. Ky proces solli humbjen e pozicioneve strategjike dhe degradimin kushtetues e shtetformues të rolit të shqiptarëve në vend. Ky zhvillim nuk është i rastësishëm: periudha historike aktuale krijoi një rreth të pafavorshëm për shqiptarët, i cili mund të mbetet i tillë deri në ndryshime dhe konfiguracione ndërkombëtare. Vetëm një unitet i fortë i subjekteve politike shqiptare mund ta ndalojë këtë rrjedhë, duke shmangur pasojat e paparashikueshme për pozitën kushtetuese të popullit shqiptar në Maqedoni, duke ruajtur kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në mbrojtjen dhe integrimin e shtetit.
Marrëveshja e Ohrit dhe legjitimiteti i lidershipit shqiptar janë vënë në shënjestër. Shqiptarët e refuzuan karremin e Zaevit e Mickoskit, të orkestruar nga padronët e botës serbe, të cilët llogaritën se duke degraduar pozitën kushtetuese të shqiptarëve do t’i shtynin ata drejt veprimeve ekstreme. Ky ishte skenari klasik serb: të prodhohet një “rrezik shqiptar” përmes provokimeve të qëllimshme, të ndezin tensione në Kosovë e Luginë, t’i lidhnin ato me “hartën e gjelbër” dhe kështu të përplasnin shqiptarët me Amerikën dhe Evropën. Pasoja do të ishte rikthimi i Serbisë në rolin hegjemonist dhe paraqitja e saj si “garant stabiliteti” në Ballkan. Por, ky plan dështoi, sepse shqiptarët nuk ranë në kurthin e destabilizimit. Përkundrazi, ata ekspozuan fytyrën e vërtetë të një strategjie të rrezikshme që, në vend se të forcojë paqen, minon integrimin euroatlantik dhe kthen rajonin drejt logjikës së krizave permanente.
Nga perspektiva ndërkombëtare, kjo sjellje e vështirëson marrëdhënien me partnerët strategjikë dhe paraqet një sfidë për stabilitetin rajonal. Dobësimi i shqiptarëve nuk është fenomen brenda Maqedonisë, por kërcënon të destabilizojë gjithë hapësirën shqiptare dhe të minojë projektin e përbashkët të paqes dhe integrimit euroatlantik.
Në këtë udhëkryq historik, Maqedonia e Veriut mund të zgjedhë rrugën e frikës dhe kërcënimit, duke e lënë shoqërinë peng të manipulimeve dhe shqiptarët të reduktohen në spektatorë të historisë; ose, mund të zgjedh vizionin e reformës dhe integrimit, duke rivendosur barazinë etnike, forcën e institucioneve dhe rolin e shqiptarëve si garantues të stabilitetit dhe partner strategjik. Ky është momenti historik për lidershipin shqiptar dhe shoqërinë që të mbrojnë Marrëveshjen e Ohrit, të sfidojnë nacionalizmin e vjetër dhe të tregojnë se e ardhmja e Ballkanit mund të ndërtohet mbi drejtësi, bashkëpunim dhe shpresë. Historia nuk pret dhe ata që zgjedhin frikën mbi vizionin do të humbasin në hijen e së kaluarës.