Me homazhe në përkujtim të viktimave, sot shënohet 24-vjetori i sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, ngjarje që mori rreth 3 mijë jetë dhe ndryshoi përgjithmonë historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti bënë homazhe te pllaka përkujtimore në oborrin e Qeverisë së Kosovës, pranë Kuvendit, duke kujtuar viktimat e këtij sulmi tragjik që 24 vjet më parë tronditi botën.
Presidentja Osmani theksoi se Kosova qëndron me krenari në luftën kundër terrorizmit, kudo që ai ndodh.
“Në atë ditë, bota u nda në dysh: në ata që thellësisht besojnë në vlerat e lirisë, humanizmit dhe qëndrojnë bashkë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe në luftën kundër terrorizmit, dhe në pjesën tjetër, ata që besojnë në terrorizëm dhe e përdorin atë për të shkaktuar dhimbje te të tjerët. Kosova, me krenari, ka qëndruar dhe qëndron krah SHBA-së për të luftuar terrorizmin, kudo që ai ndodh”, tha Osmani.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!