Historiani Sylë Ukshini ka thënë se Shkelzen Gashi, organizatori i ekspozitës skandaloze të hapur në sheshin e Prishtinës më 24 mars të këtij viti për masakrat në Kosovë, është masakrim për së dyti mbi Dubravën dhe Krushën.
Në Info Magazine në Klan Kosova, ai tha se ekspozita të tilla nuk duhet të hapen pa vlerësim paprarak nga institucionet kompetente.
“Ekspozita të tilla nuk duhet të hapen pa e dhënë një vlerësim Instituti për Krime të Luftës, i cili është duke punuar me metoda shumë të avancuara për evidentimin e të vrarëve. Mendoj që Zoti Gashi ka bërë një masakër të dytë mbi Dubravën dhe Krushën, sepse është edhe nga padituria, por është edhe një diskurs për t’u profilizuar si ‘open-minded’”, u shpreh Ukshini, raporton Klankosova.tv.
Ai tha se diskursi i Gashit është për të thithur fonde.
“Unë kam parë që ai ka pasur tendencë për të përçuar një platformë serbe edhe te masakra e Reçakut, për të nxjerrë se atje janë të vrarë edhe ushtarë të UÇK-së”, deklaroi më tej historiani Sylë Ukshini, teksa shtoi se në burgun e Dubravës “nuk mund të kesh as laps, e lëre më gjëra tjera, të armatosur”.
“Po them se është diskurs”, theksoi Ukshini.
Kujtojmë se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të premten mbrëma mori vendim për heqje të lejes për mbajtjen e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” nga sheshet e Prishtinës.
E sot, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se është duke përcjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën në fjalë. /Klankosova.tv


