Historia e vërtetë e Ed Geinit, keqbërësit të “Përbindëshit” të Netflix-it

Historia e vërtetë e Ed Geinit, keqbërësit të “Përbindëshit” të Netflix-it

“Vrasësi më grotesk në historinë e ShBA-së” ishte arketipi për keqbërësit e tmerrshëm në filmat horror. Ky arketip tani po trajtohet nga Netflix-i.

Nga: Etan Smallman / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Mund të mos e njihni menjëherë emrin, por me siguri do t’i njihni krimet. Ed Gein ishte një vrasës serik dhe grabitës varresh në vitet ‘50 të shekullit XX, i cili përcaktoi modelin për filmat horror të shekullit XX. Në një tjetër përshtatje për ekran të historisë së tij jashtëzakonisht të tmerrshme – që pritet të dalë këtë herë në Netflix, si pjesë e antologjisë Përbindëshi [Monster] nga Ryan Murphy – është gjithçka që duhet të dini për “Kasapin e Pleinfildit”.

Edward Gein – shqiptohet në rimë me ligësi [mean] – ishte fermer nga Peinfildi, në Uiskonsin, kur doli në faqet e para të gazetave në vitin 1957, pasi trupi pa kokë i 58-vjeçares Bernice Worden u gjet i varur nga thembrat në një ndërtesë të vogël në pronën e tij.

Kur autoritetet kontrolluan pronën e tij, ata zbuluan një shtëpi tmerresh që do të çonte në etiketimin e Geinit si “vrasësi më grotesk nekrofil në historinë e ShBA-së” dhe më vonë si “Martha Stewarti i vrasësve serikë” (duke iu referuar mbretëreshës amerikane të punimeve në shtëpi).

Nj\u00eb polic kontrollon kuzhin\u00ebn e rr\u00ebmujshme t\u00eb Geinit, ku autoritetet gjet\u00ebn kafka Burimi: Bettmann

Dhjetë kafka njerëzore u gjetën në shtëpinë e tij, disa të fshehura në kuti, të tjerat në skajet e shtratit të tij. U gjet gjithashtu një rrip i bërë me thithka, maska të përpunuara nga fytyrat njerëzore, dhe një kostum, një korse dhe geta të prodhuara nga lëkura e grave (Gein pranoi se i vishte para se të kërcente në fermën e tij në dritën e hënës). Ai gjithashtu kishte bërë tasa nga kafkat njerëzore dhe kishte përdorur lëkurën e njeriut për të mbuluar disa karrige, si dhe kishte bërë një abazhur dhe një kosh për letër.

Koka e Wordenit ishte ruajtur në një thes dhe pasi zemra e saj u gjet pranë sobës së kuzhinës, prokurori i qarkut, Earl Kileen, tha: “Duket të jetë një rast kanibalizmi”. Vrasësi u përshkrua në një raport të kohës si “beqar 51-vjeçar me sy të lodhur dhe supe të rëna”. Më vonë u zbulua se Gein, i rritur nga një baba i dhunshëm dhe një nënë kontrolluese, u shpërbë pas vdekjes së nënës së tij, dhe ai ishte një vetmitar që kënaqej duke lexuar revista të dhunshme dhe duke zhvarrosur kufoma nga varrezat lokale. Megjithatë, konsiderohej aq i padëmshëm nga vendasit, saqë e punësonin si dado.

Çfarë ndodhi me të?

Gein përfundimisht pranoi se kishte vrarë dy gra – Wordenin në vitin 1957 dhe Mary Hoganin, pronaren e një taverne, në vitin 1954. Policia arriti në përfundimin se ai kërkonte viktima që i ngjanin nënës së tij të ndjerë, me të cilën ishte i fiksuar dhe “ndjente se kishte fuqinë ta ringjallte”. Ai u diagnostikua me skizofreni kronike dhe nuk u konsiderua i aftë për të dalë në gjyq deri në vitin 1968. U shpall fajtor vetëm për vrasjen e Wordenit, megjithëse dyshohej për vrasjen e shtatë të tjerëve dhe kishte pranuar se kishte grabitur rreth një duzinë varre të tjera, kryesisht të grave të moshës së mesme.

James Buddy Day ishte regjisor i serialit dokumentar televiziv të vitit 2023, Psiko: Kasetat e zhdukura të Ed Geinit [Psycho: The Lost Tapes of Ed Gein], i cili shfaqi audio-incizime të sapozbuluara, ku Gein dëgjohet duke folur me autoritetet natën kur u arrestua. Day tha: “Mund të dëgjosh që është një fermer i thjeshtë, i butë dhe i qetë nga Miduesti, i cili e kupton se është përbindësh, por nuk kupton pse apo si u bë i tillë, dhe pothuajse bashkëpunon me autoritetet për të marrë njëfarë kuptimi për veten”.

Gein e kaloi pjesën tjetër të jetës në një spital psikiatrik, ku vdiq në vitin 1984, në moshën 77-vjeçare.

Lindja e makthit amerikan

Rasti i Geinit do të shndërrohej në model për disa nga horrorët më të paharrueshëm të kinemasë. Los Angeles Times e vlerëson numrin e filmave të bazuar në historinë e tij në 40, duke thënë: “Në mënyrën e tij të çuditshme, fermeri i ndjerë nga Uiskonsini, Ed Gein, ka frymëzuar ndoshta më shumë filma të paharrueshëm të Holivudit sesa Zhan D’Arka apo Billi Kidi [Billy the Kid]”.

Në krye të listës është filmi Psiko [Psycho] i Alfred Hitchcock (1960), i bazuar në romanin me të njëjtin titull të Robert Blochit nga viti 1959. Si Geini, ashtu edhe protagonisti i Psikos, Norman Bates, ishin vetmitarë që vajtonin nënat autoritare dhe, në njëfarë mënyre, kërkonin të shndërroheshin në gra (Bates vishte rrobat e nënës së tij). Bloch tha se historia kishte në qendër “idenë se burri që jeton pranë teje mund të jetë përbindësh, i padukshëm edhe në mikrokozmosin plot thashetheme të një qyteti të vogël”.

Aktori britanik Charlie Hunnam portretizon Geinin në serialin e ardhshëm të Netflix-it “Monster: The Ed Gein Story”Burimi: Netflix

Fytyrlëkura [Leatherface], vrasësi kanibal i luajtur nga Gunnar Hansen në filmin Masakra me sharrë elektrike në Teksas [The Texas Chain Saw Massacre] të vitit 1974 – posteri i të cilit thoshte se “Ajo që ndodh është e vërtetë” – ishte gjithashtu i modeluar sipas Geinit. Po ashtu edhe Bufallo Billi në filmin Heshtja e qengjave [The Silence of the Lambs] të vitit 1991 (i bazuar në romanin e Thomas Harrisit nga viti 1988). Ky vrasës serik – i luajtur nga Ted Levine dhe i emëruar sipas një gjahtari amerikan të shekullit XIX që njihej për rrjepjen e bizonëve – vret gra të reja dhe ua heq lëkurën për të bërë një “kostum gruaje”.

Vetë Geini është interpretuar nga Steve Railsback në filmin Në dritën e hënës [In the Light of the Moon, 2000]. Ndërsa në filmin Hiçkoku [Hitchcock] të vitit 2012, ai u luajt nga Michael Wincott (ndërsa regjisori Hitchcock u luajt nga Anthony Hopkins, i cili kishte sjellë në ekran Hanibal Lekterin në Heshtjen e qengjave).

Disa studiues e kanë lidhur “retorikën anti-trans” me mënyrën se si u pasqyrua Gein si veshës i rrobave të grave dhe me personazhet që u frymëzuan nga ai. Një artikull i Washington Post-it në vitin 2022 ka thënë: “Për dekada të tëra, kultura popullore është mbështetur në supozime rreth komunitetit trans, duke nënkuptuar se ka diçka ndryshe, madje shqetësuese dhe të rrezikshme, në lidhje me ta. Origjina e këtij stereotipi, me shumë gjasë, është Ed Gein”.

Kulti i Ed Gein

Edhe përtej filmave, Gein ka qenë prej kohësh një figurë kulti. Krimet e tij janë bërë temë për këngë nga disa grupe hevi-metal, përfshirë këngën Dead Skin Mask të vitit 1990 nga grupi Slayer. Në vitin 2001 u raportua se ekzistonin 182 faqe interneti që i dedikoheshin atij.

Sot, adhuruesit mund të vizitojnë “Përvojën Ed Gein” [The Ed Gein Experience] në Muzeun “Graveface” në Savanë të Xhorxhas. Ajo përfshin rikrijimin të shtëpisë së Geinit si dhe “fotografi të papublikuara më parë nga vendi i krimit dhe e vetmja provë që ka mbetur nga rasti” (një zinxhir çelësash i bërë nga një tufë flokësh njerëzore). Faqja zyrtare e muzeut informon vizitorët e mundshëm: “Nëse ndiheni keq apo të dobët gjatë turit, mund të dilni jashtë ose të lajmëroni ciceronin nëse mendoni se mund alivanoseni”. Një atraksion turistik që nuk u realizua kurrë ishte vetë ferma e Geinit. Ajo u përfshi nga flakët në vitin 1958, një vit pas arrestimit të tij, mes thashethemeve se ishte shitur te një blerës që donte ta kthente në një muze të “shtëpisë së tmerreve”.

Disa adhurues të Geinit janë aq të përkushtuar, saqë duan të zotërojnë një copë nga historia. Hamish McAlpine, producent i Në dritën e hënës, ka thënë: “Ka madje edhe një klub adhuruesish të Ed Geinit. Mund të blesh gjësende që kanë të bëjnë me Ed Geinin. Mund të blesh bustin e Ed Geinit, taketuket Ed Gein dhe madje edhe kalendarë të Ed Geinit”.

Në vitin 1958, një shitës në panair pagoi 760 dollarë për makinën “Ford” të vitit 1949 të Geinit. Në vitin 2006, eBay ndaloi një ankand të tokës së vrasësit, ku shitësi kërkonte 250 mijë dollarë. Kompania tha se kjo shkelte politikën e saj që ndalon shitjen e kujtimeve të lidhura me vrasje. Një biografi e Geinit, me nëntitullin Vrasësi më i çuditshëm i Amerikës [America’s Most Bizarre Murderer] dhe e firmosur nga vetë ai, u shit për 2 500 dollarë në vitin 2017, ndërsa posterat me foton e tij të arrestimit ende shiten në faqet si Etsy.

Rikthimi në ekran me një element britanik

Tani ai po merr sërish kujdesin e Holivudit, këtë herë në një serial tetë-pjesësh në Netflix: Përbindëshi: Rrëfimi për Ed Genin [Monster: The Ed Gein Story]. Bashkëkrijuesit Ryan Murphy dhe Ian Brennan janë marrë dy herë më parë me vrasësit famëkeq amerikanë në serinë Përbindëshi, Rrëfimi i Xhefri Damerit [The Jeffrey Dahmer Story] dhe Rrëfimi për Lajl dhe Erik Menendezin [The Lyle and Erik Menendez Story].

Aktori Charlie Hunnam, i cili ngjan me GeininBurimi: Netflix

Aktori Charlie Hunnam, i lindur në Njukesëll, luan rolin kryesor. Ai mbështetet nga aktorët britanikë si Tom Hollander (në rolin e regjisorit të Psikos, Alfred Hitchcock), Olivia Williams (si gruaja e Hitchcockut) dhe Lesley Manville (si Worden, viktima e fundit e Geinit).

Laurie Metcalf luan rolin e nënës së tij, ndërsa aktorja amerikane Addison Rae – yll i TikTok-ut që është kthyer në pop-këngëtare – luan adoleshenten që zhduket në mënyrë misterioze. Hunnam, i cili ka ngjashmëri me Geinin, u përzgjodh pasi Murphy pa një foto të tij të bërë nga paparacët. “Thashë me vete: ‘Oh, ai duket i përhumbur’. Kishte diçka shumë ‘Edi’ tek ai”, tha Murphy. Për këtë Hunnam u përgjigj: “Duhet të kem pasur një ditë të keqe”. /Telegrafi/