Na ishte njëherë… një djalë i cili lindi i sëmurë. Sëmundja e tij ishte e pashërueshme.
Ai ishte 17 vjeç dhe mund të vdiste në çdo moment. Ende jetonte me nënën e tij, nën përkujdesjen e saj. Një ditë mendoi të dilte vetëm për herë të fundit. E pyeti nënën dhe ajo e lejoi të dilte.
Duke shëtitur nëpër qytet, u ndal pranë një dyqani CD-sh. Kur ngriti kokën dhe pa brenda, vuri re një vajzë të bukur në moshën e tij. Ishte dashuri me shikim të parë. Hapi derën dhe hyri brenda, duke e vështruar nga një kënd vajzën. Pas pak iu afrua tavolinës ku ajo ndodhej.
Ajo e pa dhe e pyeti me një buzëqeshje: “A mund t’ju ndihmoj?”
Ai mendoi se ishte buzëqeshja më e bukur që kishte parë ndonjëherë dhe kishte dëshirë ta puthte që atë çast. Duke belbëzuar, tha: “Po… hmm… do të doja të blija një CD.”
Pa menduar, mori CD-në e parë që i doli përpara dhe e pagoi. “A do të dëshiroje që ta paketoj?” – pyeti vajza duke buzëqeshur. Ai vetëm tundi kokën në shenjë poje dhe ajo shkoi në dhomën e paketimit dhe ia solli.
Ai e mori CD-në dhe doli nga dyqani. Që prej asaj dite, shkonte çdo ditë në atë dyqan për të blerë një CD. Vajza ia paketonte secilën dhe ia sillte të paketuar. Ai i çonte të gjitha në shtëpi dhe i vendoste në dollapin e tij.
Ai ishte shumë i turpshëm për ta ftuar atë vajzë për një kafe ose darkë. Edhe kur përpiqej, nuk mund të fliste dot. Kështu që, një ditë ia tregoi të gjitha nënës së tij, dhe ajo i dha kurajë që ta provonte edhe një herë.
Të nesërmen, i armatosur me kurajë dhe vullnet, shkoi në atë dyqan CD-sh. Si çdo ditë, mori një CD dhe vajza shkoi për t’ia paketuar. Në atë çast, ai mori guximin dhe i la një letër me numrin e tij mbi tavolinë, pastaj doli duke vrapuar nga dyqani.
Të nesërmen… tingëlloi telefoni. Nëna e tij e hapi dhe tha: “Alo?”
Ishte ajo vajza dhe dëshironte të fliste me djalin. Nëna, pa ndalur, filloi të qante… “Si nuk e di? Ai vdiq dje!”
Pasi mbylli telefonin, nëna u ngjit në dhomën e djalit për ta kujtuar sado pak. Ajo vendosi të shihte rrobat e tij dhe hapi dollapin. Sa e habitur mbeti kur një numër i madh CD-sh i ranë këmbëve… Asnjëra prej tyre nuk ishte e hapur. Kjo e bëri të dyshonte dhe mori njërën prej tyre, u ul në shtratin e djalit dhe filloi ta hapte.
Nga paketa ra një letër e vogël me mbishkrimin: “Përshëndetje, je një djalë shumë i bukur… A ke dëshirë të dalësh me mua? Të dua shumë, Doretina.”
Duke qarë, nëna e tij hapi një CD tjetër dhe pastaj një tjetër. Në çdo paketim të CD-ve kishte një letër të vogël me të njëjtin mbishkrim.
Morali: Kështu është jeta – mos prit shumë për t’i shprehur dikujt që është i veçantë për ty dëshirat dhe ndjenjat e tua për të. Thuaje SOT, se nesër mund të jetë shumë VONË!