E hënë, 19 Maj, 2025
spot_img
HomeShëndetësiHipertensioni – sëmundja e heshtur për të cilën mjekët apelojnë të mos...

Hipertensioni – sëmundja e heshtur për të cilën mjekët apelojnë të mos neglizhohet – Indeksonline.net

Shkruan: Mihane Hoxha

Viteve të fundit ka një rritje të dukshme të rasteve me hipertension. Me këtë rast mjekët apelojnë që hipertensioni të mos neglizhohet, pasi që është një sëmundje që nuk shërohet por vetëm menaxhohet me trajtim të përhershëm.

Katër vite më parë, në prag të lindjes së fëmijës së saj të tretë, Sara filloi të ndjente disa shqetësime shëndetësore që i lidhi me shtatzëninë.

“Kisha temperaturë, marramendje dhe rrahje të shpejta të zemres. Fillimisht mendova që këto shqetësime më vinin nga shtatzënia dhe menjëherë iu drejtova gjinekologës sime, e cila më mati shtypjen e gjakut dhe më doli 160/120 mmHg. Dhe, për të mos mu komplikuar shtatzania më vendosi barna për ta stabilizuar tensionin e lartë të gjakut”, kujton ajo.

Sara e cila tani është 36 vjeçare dhe nënë e katër vajzave, është vetëm njëra nga mijëra pacientët që në Kosovë përballen me hipertensionin. 

Referuar të dhënave zyrtare të siguruara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShP), gjatë vitit 2023 në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (QKUK dhe Spitalet Rajonale) ka pasur gjithsej 11543 hospitalizime nga hipertensioni (tensioni i lartë i gjakut).

“Hospitalizimet nga hipertensioni ndodhin mbi moshën 50 vjeç. Ndërsa, në Kujdesin Parësor Shëndetësor  vizita mjekësore kemi edhe nën moshën 45 vjeç, dhe me rritjen e moshës rritet edhe numri i rasteve që kërkojnë trajtim për shkak të hipertesionit si diagnozë e vetme apo e shoqëruar edhe me diagnoza tjera. Gjithsej ka pasur 159602 vizita”, thuhet në përgjigjen e IKShP-së.

Kurse, sa i përket hipotensionit (apo tensioni i ulët i gjakut), IKShP ka treguar se në vitin 2023, janë raportuar në total si diagnozë e vetme 64 dignoza, derisa në Kujdesin Parësor Shëndetësor, diagnoza e hipotensionit është e shoqëruar me një grup të dignozave tjera të sistemit të qarkullimit të gjakut me gjithsej 13169 diagnoza apo vizita.

Sëmundja e heshtur – me trajtim të përhershëm

Ismeti, i cili edhe dy muaj mbush 70 vjeç, ka treguar se asnjëherë nuk i kishte shkuar në mendje se ai vuan nga hipertensioni. “Në vitin 2022, nuk ndihesha mirë, kisha temperaturë, marramendje dhe dhimbje gjoksi. Jam shkuar në emergjencë, rastësisht më kanë bërë matjen e tensionit dhe më ka rezultuar 200 mmHg. Për pasojë, sot, kam probleme me zemër”.

Kurse, Safeti, një tjetër pacient i cili është në të 50-at, tensionin e lart të gjakut e zbuloi përmes kontrollave rutinore të punës. “Ka rreth 10 vite që ballafaqohem me hipertensionin. Nuk kam pasur ndonjë sinjal për me kuptuar që vuaj nga kjo sëmundje. Mirëpo, nga kontrollet sistematike që i kemi të obligueshme nga puna, e kanë vërejtur që kam tension të lart dhe nga ai moment përdori barna dhe kujdesem që të mos kem komplikime me shëndetin”, tregon ai.

Ndërkaq, Fatimja 71 vjeçare, ka rrëfyer se humbja e bashkëshortit i ka ndikuar në shfaqjen e hipertensionit. “Nga mërzia e madhe fillova të kem dhimbje koke. Duke ecur rrugës përjetova marramendje dhe direkt i jam drejtuar Shtëpisë së Shëndetit. Sapo mjekja më bëri një matje të thjeshtë të tensionit të gjakut e vërejti që tensioni më kishte shkuar në 200 mmHg. Fillimisht më dha një ilaç nën gjuhë, sa për ta stabilizuar gjendjen aty për aty, pastaj kam vazhduar kontrollet te specialistët e fushës”.

Ajo, tash e 13 vite ballafaqohet me sëmundjen e hipertensionit, e i cili i ka shkaktuar edhe probleme me zemër (aritmi). “Unë, besoj që më ka shkaktuar probleme edhe në gjandrën tiroide të cilën e kam operuar para dy viteve”, shprehet Fatimja.

Çfarë janë hipertensioni dhe hipotensioni dhe cilat janë shkaqet e përhapjes së tyre

Në prononcimin e tij, Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Dr. Faik Shatri, ka treguar se “tensioni i gjakut përkufizohet si forca që ushtron gjaku ndaj mureve të arterieve ndërsa qarkullon nëpër to. Vlerat normale për të rriturit janë rreth 120/80 mmHg. Në përgjithësi, tensioni konsiderohet normal kur është më pak se 130/80 mmHg. Vlera mbi 140/90 mmHg përcaktojnë hipertensionin, ndërsa vlera nën 90/60 mmHg përcaktojnë hipotensionin”.

Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Dr. Faik Shatri

Sipas kardiologut Shatri, hipertensioni zakonisht zhvillohet për shkak të kombinimit të faktorëve si: predispozita gjenetike, mbipesha, dieta e pasur me kripë, konsum i tepërt i alkoolit, mungesë aktiviteti fizik, stresi afatgjatë dhe plakja natyrale e arterieve. “Kjo ndodhë në 95% të rasteve. Në disa raste ( rreth 5 %) mund të jetë pasojë e sëmundjeve të veshkave, çrregullimeve hormonale ose ilaçeve të caktuara”. 

Ndërsa, hipotensioni mund të shkaktohet nga: dehidratimi, humbja e gjakut, sëmundjet e zemrës, probleme hormonale (si insuficienca adrenale) ose përdorimi i disa ilaçeve si antihipertensivët ose diuretikët.

Kardiologu Shatri ka treguar se pasojat afatshkurtër të tensionit të lartë mund të çojë në kriza hipertensive, dëmtim akut të trurit, zemrës ose veshkave. Kurse, afatgjatë, rrit rrezikun për infarkt në zemër, goditje në tru, insuficiencë kardiake dhe sëmundje kronike të veshkave.

Tensioni i ulët mund të shkaktojë marramendje, humbje të vetëdijes dhe rrëzime që rrezikojnë jetën, ndërsa në raste të rënda mund të dëmtojë organet vitale për shkak të perfuzionit të pamjaftueshëm me gjak.

Gjithashtu, ai, ka bërë të ditura sinjalet paralajmëruese se kur pacientët duhet të kërkojnë ndihmë, janë: dhimbje koke të forta dhe të vazhdueshme, marramendje ose humbje ekuilibri, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje në gjoks ose palpitacione, shikim i turbullt, episodet e humbjes së vetëdijes.

Nga ana tjetër, drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi, i cili është specialist i mjekësisë familjare, ka theksuar se kohëve të fundit ka një rritje të dukshme të pacientëve me hipertension por në raste më të rralla edhe me hipotension, dhe për këtë ka nënvizuar rëndësinë e kontrolleve mjekësore.

Drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi

“Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, e pacientëve në këtë rast te ne, iu mungojnë simptomat. Kjo është karateristikë te disa pacientë ku nuk ndjejnë asnjë ndryshim, asnjë dhimbje, asnjë simptomë që i bëjnë për të dyshuar që, ata, vuajnë nga shtypja e lart”. 

Ilaçet për ta luftuar tensionin e gjakut – vetëm me recetë të profesionistit të fushës

Jehona Beqiri, farmaciste tregon se pacientët me tension të lartë përdorin medikamentet hipertenzive, varësisht prej gjendjes sa e kanë serioze përcaktohet edhe ilaçi. 

Jehona Beqiri, farmaciste

“Lizinoprili e losartani, kombinohen edhe me hidroklorotiazid, i cili ky ilaç ka efektin dierotik që e bën pacientin të urinojë më shpesh në mënyrë që t’i ulet tensioni i gjakut. Pastaj, është lerkanidipina për rastet më të rënda. Poashtu, furosemidi. Doza është ajo që i dallon varësisht prej gjendjes së pacientit”. 

Farmacistja Beqiri, ka theksuar se për hipotension nuk ka ilaçe por përdoret një lloj preventive përmes metodave popullore. 

“Kur një pacient shkon me hipotension atëherë pacientit i sugjerohet t’i mbajë pak këmbët lart, t’i jepet kripë pak më tepër d.m.th., ushqime të kriposura, preherohet kafja, por në rastet më të rënda shkohet me intravenoz me një kripë 0.9% e cila merret në forma venoze, ku mundet me iu shtu disa prej vitaminave, sidomos vitamina C. Pastaj, kortikosteroidi është ai i cili e rritë tensionin por edhe sheqerin. Dhe, në këtë formë vjen deri te një normalizim i gjendjes së pacientit”. 

Tutje, Beqiri, ka theksuar se qytetarët kanë pak njohuri për ilaçe, në anën tjetër ka reaguar me një zë kritik ndaj kompanive të cilat kanë abuzuar me çmime.

“Përdorin ilaçe edhe të panevojshme pak a shumë është bastardu me shitjen dhe reklamimin, sepse gjithçka është bërë si formë biznesi, por në anën tjetër edhe mjekët po shënojnë ilaçe e suplimente shumë, të cilat ne nuk mundemi me ditë nëse me të vërtetë janë të nevojshme. Ne, mënyrën e përdorimit mundohemi me iu tregu, pastaj, sa i përmbahen asaj nuk e di”, ka shtuar ndër të tjera Beqiri. 

Edhe Dr. Krasniqi, ka theksuar se pacientët në përgjithësi kanë mungesë të informacioneve rreth barnave për hipertension. “Zakonisht kur i shënohen barnat në fund të recetës kërkohet një vizitë përsëritëse për të shikuar gjendjen dhe pacientët në shumicën e rasteve nuk na kthehen dhe vazhdojnë m’i ble edhe nga një pako shtesë të barnave”. 

Ai, tutje shton se çdo vit janë organizuar fushata vetëdijësuese për hipertension, për diabetin, yndyrat, mbipeshën etj, por interesimi i qytetarëve ka qenë i vogël.

“Ajo çka më shqetëson kohëve të fundit, qytetarët hyjnë nëpër rrjetet sociale, marrin informacione të cilave nuk iu dihet burimi i saktë edhe vijën me informacione bukur të mëdha por që nuk kanë të bëjnë fare me atë sëmundje që ata ballafaqohen. Dhe, kur i këshillojmë që këtë ilaç nuk duhet me përdorë, sepse ky ilaç nuk është për ty, na kundërshtojnë duke na treguar se atë e kanë gjetur në internet”, tregon Dr. Krasniqi. 

Ndërsa, farmacistja Beqiri ka pohuar se kanë raste kur qytetarët iu drejtohen farmacive pa recetë të mjekut. “Ndodhë shumë rrallë, ata që kanë tension të çastit, nuk ndihen mirë dhe ne, iu bëjmë një matje të thjeshtë të shtypjes së gjakut nëse e vërejmë që e ka një tension të lart e udhëzojmë për në pikën më të afërt të mjeksësisë familjare. Disa hezitojnë, e në këtë raste iu japim vetëm suplinguale e cila merret nën gjuhë. Ndërsa, ilaçet që kanë për sëmundje kronike nuk i japim pa receten e mjekut”. 

Ligji për unifikimin e çmimit të barnave – lehtësim për pacientët

Farmacistja Jehonë Beqiri, në prononcimin e saj është deklaruar se janë duke e zbatuar ligjin për unifikimin e çmimeve të barnave, e me këtë rast ka ndikuar që shumica e barnave sidomos kronike, duke i përfshirë edhe antihipertenzivet e kardiakët kanë pësuar një rënie të çmimit. 

“Edhe ne, po çuditemi sesi kanë përfituara kompanitë të cilat e kanë shitur një ilaç 17 euro, kurse sot me ligjin e unifikimit të çmimeve, ilaçi, i njëjtë me 6-7 euro, e me këtë rast po përfiton kompania, po përfitojmë ne, po përfiton dora e parë, por edhe pacienti po është më i kënaqur, i cili deri dje e ka paguar gati trefishin e ilaçit të caktuar”, është shprehur ajo.

Për Ismetin, çmimet e barnave që përdorë si për zemër poashtu edhe për tension janë çmime të larta. “Në muaj më kushtojnë rreth 50 euro”, thotë ai.

Poashtu edhe për Fatimen, çmimet e barnave janë të papërballueshme.“Sidomos për mua që jam pensioniste dhe më duhet të përdori ilaçe të shumta duke përfshirë për tension, zemër dhe gjandrën tiroide”, shprehet ajo.

Ndërsa, Sara, përveç shqetësimeve të çmimeve të barnave, ka disa muaj që duron dhimbjen e dhëmbit shkaku i hipertensionit. “Shkova te dentisti me dhimbje të madhe. Pasi e informova për për barnat që përdori, ai ma mati tensionin dhe më doli 170/102 mmHg. Për të shmangur rrezikun e gjakderdhjes, nuk ma hoqi dhëmbin, por më rekomandoi t’i drejtohem kardiologut”, ka treguar ajo.

Ky artikull është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT