High Scardus Ultra do të prezantohet në Expo-në zyrtare të Kaçkar by UTMB®, e cila zhvillohet nga 26 deri më 28 shtator 2025 në Ayder, Rize, në zemër të maleve Kaçkar në Turqi.
Ky event është pjesë e serisë prestigjioze UTMB World Series, që mbledh çdo vit mijëra vrapues dhe profesionistë të trail-running nga e gjithë bota.
Ekipi i High Scardus Ultra, i udhëhequr nga Uta Ibrahimi dhe Metodi Chillimanov, do të jetë mysafir special gjatë Expo-së në Ultra Trail Village, në shtandin Nr. 8. Ekipa nga Kosova dhe Maqedonia do të ketë mundësinë të prezantojë para qindra vrapuesve dhe vizitorëve bukuritë e maleve të Sharrit, historinë e Prizrenit dhe Kodres se Diellit itineraret unike që lidhin Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
High Scardus Ultra do të qëndrojë përkrah brandeve më të njohura botërore të trail dhe mountain running, si Adidas Terrex, NNormal, Suunto, Brooks, Asics, Garmin, CamelBak dhe shumë të tjera. Ky pozicionim e vendos garën kosovare në hartën e eventeve ndërkombëtare elitare dhe synon të tërheqë më shumë vrapues drejt Prizrenit dhe Tetovës.
Kaçkar by UTMB® është pjesë e serisë UTMB World Series – një rrjet garash të njohura ndërkombëtare që tërheqin mijëra vrapues dhe përfaqësues të komunitetit të trail-running çdo vit. Expo Eventi kombinon sfidë sportive me një ekspozitë të fuqishme rreth turizmit malor, duke ofruar mundësi të mëdha për vendet e prezantuara të tërheqin vrapues dhe vizitorë nga e gjithë bota.
Ky është hapi i parë që një garë nga Kosova të ekspozohet në një event kaq të lartë të UTMB®, duke hapur dyert për bashkëpunime dhe rritje ndërkombëtare.
High Scardus Ultra është pjesë e garave UTMB Index dhe një seri garash trail-running që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes maleve të Sharrit – duke ofruar gara nga distanca të shkurtra në qytet (rreth Prizrenit) deri te ultrat ndërkufitare me ngritje të larta dhe pasuri natyrore të jashtëzakonshme. Qëllimi i garës është ruajtja e natyrës, promovimi i turizmit të qëndrueshëm dhe mirëpritjen e vrapuesve ndërkombëtarë.
Edicioni i ardhshëm i High Scardus Ultra është caktuar për 5 shtator 2026 – regjistrimet do të hapen së shpejti.