Haxhiu për aktakuzën ndaj Mujkës: Rasti do të trajtohet nga komisioni disiplinor

Haxhiu për aktakuzën ndaj Mujkës: Rasti do të trajtohet nga komisioni disiplinor

Nënkryetarja e Kuvendit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka folur lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj dy ish-zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe aktualisht kryeshef ekzekutiv i Bordit të “Ibër-Lepencit”, si dhe ndaj Hysen Muzliukajt, ish-drejtor për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në të njëjtën komunë, për korrupsion.


Haxhiu është pyetur pse në konferencën e mbajtur gjatë ditës kishte thënë se nuk kishte informacione për këtë rast.

“Jo, nuk jam marrë me këtë çështje. Ajo çfarë unë duhet të theksoj këtu pak a shumë është ajo që e kam thënë në konferencë,” deklaroi Haxhiu në Debat Plus.

Ajo është pyetur nëse e sheh këtë aktakuzë si të rëndësishme.

“Jo, jo, jo, s’jam marrë me të. Unë mendoj që Vetëvendosja do ta trajtojë këtë çështje në komisionin disiplinor të Vetëvendosjes. Nuk jam anëtare e komisionit disiplinor, nuk ndërhyj në pozicionin e komisionit… do ta trajtojë rastin. Unë nuk kam informacione për këtë dhe më vjen keq që nuk kam pasur mundësi të marr informacione.”

Kur u pyet nëse, sikur të ishte në komision, do të rekomandonte përjashtimin e menjëhershëm të Mujkës, Haxhiu tha:
“ Në secilin rast që e kemi, derisa të marrim informacione, unë mendoj se duhet suspenduar. Do të thotë, duhet suspenduar. Në vazhdimësi e kam thënë këtë.”