Deputeti i PDK-së, Nait Hasani ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së hapur në sheshin e Prishtinës për krimet e luftës, duke e quajtur atë të mbushur me mashtrime lidhur me Masakrën në Burgun e Dubravës. Ai kujtoi se sot shënohen 24 vite nga dalja e tij nga burgjet serbe, përfshirë edhe Burgun e Dubravës.
“24 vite kujtese e dhembje nga ai krim që u bë mbi të burgosurit shqiptar në këtë burg nga gardianët, nga serbët e burgosur, nga policët serb, nga ushtarët serb, pra nga institucionet e shtetit të Serbisë. Dhe po sot, në sheshin e Prishtinës, ekspozita për krimet e luftës dhe fotoja ‘Masakra në Burgun e Dubravës’ më tmerron me këto mashtrime, gënjeshtra dhe të pavërteta për këtë krim e gjenocid të shtetit të Serbisë kundër të burgosurve shqiptar”, tha Hasani.
Ai theksoi se ekspozita nuk pasqyron realitetin e asaj që ndodhi në Dubravë gjatë luftës. Sipas tij, në atë burg nuk kishte të burgosur të armatosur apo civilë, por vetëm shqiptarë të burgosur, prej të cilëve 118 u vranë dhe mbi 400 të tjerë u plagosën.
“Aty nuk tregohet e vërteta, aty tregohen rrënat e mashtrimet serbe dhe të agjentëve të Serbisë. Aty nuk ka pasur të burgosur të armatosur, aty nuk ka pasur civil shqiptar, aty ka pasur të burgosur shqiptar dhe si shqiptar janë vrarë 118 të burgosur dhe janë plagosur mbi 400 të tjerë. Aty janë vrarë pleq mbi 60 vjeç dhe fëmijë nën 18 vjeç nga shteti serb”, shtoi Hasani.
Ai kritikoi gjithashtu faktin që ekspozita është financuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Dhe kjo ekspozitë, e financuar nga Kuvendi i Kosovës, me këso të pavërteta e mashtrime, ku në këtë Kuvend të Kosovës kemi mbajtur fjalime e nxjerrë rezolutë për Masakrën në Burgun e Dubravës, e të lejohet e financohet në emër të Kuvendit kjo ekspozitë, është krim, duke vrarë bashkë me autorin edhe njëherë të burgosurit e Dubravës dhe shkelur gjakun e të vrarëve në këtë burg nga institucionet e shtetit të Serbisë. Për këtë krim të qëllimshëm nga autori i këtij shkrimi e ekspozite, kërkoj nga institucionet e drejtësisë gjykim e dënim për këtë krim monstruoz”, tha Hasani.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


