Hasani: Kuvendi nuk është i konstituuar, zgjedhja e Rashiqit fund e krye jo kushtetuese

Hasani: Kuvendi nuk është i konstituuar, zgjedhja e Rashiqit fund e krye jo kushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar.

Përkundër faktit që kryeparlamentari Dimal Basha, në seancën e sotme, konstatoi konstituimin e legjislaturës së nëntë me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar nga komuniteti serb, Hasani thekson se procedura e zgjedhjes së Rashiqit për nënkryetar është “fund e krye, jokushtetuese”.


Ai deklaron se nëse rasti dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ka bazë të fortë kushtetuese për kontestimin e zgjedhjes së sotme të Rashiq.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare thotë për KosovaPress, se edhe pse Rashiq është serb, nuk e përfaqëson komunitetin serb për qëllimet e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, nënkryetari serb duhet të propozohet nga partia që ka fituar shumicën e votave nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Një gjë e tillë, sipas Hasanit, është e qartë si në Kushtetutë, ashtu edhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku siç thotë ai serbët e humbin këtë të drejtë vetëm nëse refuzojnë të propozojnë me shkrim deputetët nga radhët e partisë serbe që ka fituar shumicën e vendeve në Kuvend.

Sipas tij, përdorimi i mundësisë së shortit për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, bëhet vetëm atëherë kur nuk ka konsensus në mesin e komunitetit se kush nga deputetët e tyre duhet të propozohet.

Në lidhje me këtë, Hasani thotë se interpretimi që iu bë sot aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese “është bashibozukçe dhe çon, pa asnjë diskutim, drejt përjashtimit të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese.”

Intervista e plotë:

KosovaPress: A është konstituar Kuvendi i Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe rregulloren e Kuvendit?

Hasani: Jo. Sot Kuvendi nuk është konstituar. Rashiqi është serb, por nuk përfaqëson komunitetin serb për qëllimet e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Nënkryetari serb propozohet nga partia që ka fituar shumicën e votave nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. Kushtetuta është e qartë, ndërsa aktgjykimi i fundit është edhe më i qartë: serbët e humbin këtë të drejtë vetëm nëse refuzojnë të propozojnë me shkrim deputetët nga radhët e partisë serbe që ka fituar shumicën e vendeve në Kuvendin e Kosovës.

Si e keni parë procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës?

Hasani: Procedura e zgjedhjes së zotit Rashiq sot është, fund e krye, jokushtetuese. E tillë ka qenë edhe kur ai është zgjedhur ministër. Nëse askush nuk e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhja e tij mbetet jokushtetuese, por kjo nuk pengon punën e Kuvendit. Nëse çështja e zgjedhjes së tij sot përfundon në Gjykatën Kushtetuese, është e vështirë që një zgjedhje e tillë të shpallet kushtetuese.

KosovaPress: A shihni hapësirë që konstituimi i Kuvendit sërish të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese?

Hasani: Po. Ka bazë të fortë kushtetuese për kontestimin e zgjedhjes së sotme të zotit Rashiq. Kjo zgjedhje ka qenë skandaloze, fund e krye jokushtetuese. Ky interpretim që sot iu bë aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është bashibozukçe dhe çon, pa asnjë diskutim, drejt përjashtimit të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese. Rezultati final i kësaj politike është federalizimi i Kosovës. Autonomia e Ohrit e vitit 2023, me këtë politikë, po shndërrohet në federalizim të plotë të Kosovës.

KosovaPress: Zotëri Hasani, në rastin konkret, nëntë deputetë nga komuniteti serb nuk morën votat për nënkryetar të Kuvendit në gjithsej 27 tentime, tri herë secili. Përkitazi me këtë, si do të duhej të veprohej si mjet debllokues për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb? Kryeparlamentari Basha, duke u bazuar sipas tij edhe në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, propozoi si mjet debllokues hedhjen në short, por meqenëse ishte vetëm një kandidat, ai propozoi drejtpërdrejt zotëri Rashiq?

Hasani: Interpretimi i tillë i Kushtetutës së Kosovës dhe i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është, siç e thashë, bashibozukçe dhe ka për synim përjashtimin e qëllimshëm të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese dhe federalizimin e Kosovës, përkatësisht krijimin e Republikës së Tretë të Kosovës. Shorti hidhet vetëm atëherë kur nuk ka konsensus në mesin e komunitetit se kush nga deputetët e tyre duhet të propozohet. Lista Srpska, si përfaqësuese e serbëve të Kosovës, sot e ka zbatuar aktgjykimin dhe Kushtetutën e Kosovës me përpikëri. Dështimi i zgjedhjes së nënkryetarit serb nga kandidatët e propozuar nuk mund t’u atribuohet deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se deputetët kanë detyrim kushtetues të votojnë kandidatin e propozuar nga shumica serbe, njësoj siç kanë vepruar me Nenad Rashiqin, i cili, sidoqoftë, nuk është përfaqësues i serbëve të Kosovës. Deputetët nuk duhet të merren me cilësitë e kandidatit serb të propozuar, por me detyrimin e tyre kushtetues – pra, votimin e kandidatit që propozohet sipas urdhrit të aktgjykimit dhe dispozitave të Kushtetutës së Kosovës. Vetëm nëse deputetët serbë nuk propozojnë ndonjërin nga kandidatët që kanë fituar shumicën e votave të komunitetit serb, atëherë mund të vijë deri te humbja e të drejtës së tyre kushtetuese”, përfundon Hasani. /KP/