Avokati Nasuf Hasani vlerëson se kryeministri Albin Kurti nuk duhet të shkojë në Prokurorinë Speciale.
“Kur e pash lajmin e fundit që e ka paralajmëruar Kurti që nuk do të shkojë, pajtohem plotësisht sepse në asnjë moment Kurti nuk bën t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale, pra të shkojë në derë të tyre, sepse e kemi shembullin e fundit të presidentit Donald Trump që edhe përkundër që gjykatat vërtetuan se i njëjti ka shkelur ligjin, gjykatësi e respektoi vendimin e popullit amerikan që e zgjodhi që t’i udhëheqë”.
“Në këtë rast duhet edhe gjykatat të kenë parasysh që Albin Kurti ka qenë kryeministër dhe është zgjedhur prapë me një shumicë të madhe të votave të popullit të Kosovës. Prandaj, po të isha në vendin e tij, në asnjë moment nuk do të shkoja, kur kemi parasysh nivelin e prokurorisë”, deklaroi Hasani në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova.
Tutje ai shtoi se kryeministri më mirë është të paguajë gjoba dhe madje të shkojë në burg, sesa t’i përgjigjet prokurorisë.
“Asnjë dispozitë në kodin e procedurës penale nuk e ka ndaluar prokurorin e rastit ose prokurorë të rastit ta dërgojnë policinë nëse vet nuk don të shkojë atje. Pse të mos e autorizojnë policinë për të shkuar për t’i marrë një deklaratë në zyrën e kryeministrit? Unë konsideroj se nëse Kurti shkon në Prokurorinë Speciale, është nënshtrim në raport me ta dhe në asnjë moment nuk duhet të shkojë kryeministri në Prokurorinë Speciale”.
“Nëse kanë diçka, mund ta autorizojnë policinë, pra nëse ata po tregojnë kokëfortësi, le ta autorizojnë policinë, lë të shkojnë ta marrin. Albin Kurti asnjëherë deri më sot nuk ka thënë që nuk është i gatshëm për të dhënë dëshmi. Pra, kjo është një tendencë. Ishte edhe para zgjedhjeve, edhe tash pas zgjedhjeve. Më mirë është Albin Kurti të paguajë 50-100 gjoba dhe të shkojë madje në burg, se sa t’i përgjigjet në këtë mënyrë Prokurorisë Speciale”, u shpreh avokati Nasuf Hasani.
The post Hasani: Kurti më mirë të paguajë gjoba e të shkojë në burg, sesa t’i përgjigjet Prokurorisë Speciale (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.