Hasani: Dëshmia e James Rubin nesër do të rrëzojë akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Hasani: Dëshmia e James Rubin nesër do të rrëzojë akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se dëshmia e ish-ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, e cila pritet të jepet nesër para trupit gjykues në Hagë, do të dëshmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ish-krerët e saj nuk kanë kryer krime.

Sipas Hasanit, Rubin do të vërtetojë vullnetin e tij për të mbrojtur figurën e UÇK-së dhe të liderëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.


Ai shtoi se dëshmia e Rubin do të shërbejë si kundërpeshë ndaj akuzave të prokurorisë, të cilat, sipas tij, janë ngritur mbi pretendime të pabazuara.

“Kjo tregon vullnetin e tij që të dëshmojë për një ushtri çlirimtare të Kosovës dhe për faktin se kemi qenë aleatë me NATO-n në çdo veprim. Liria dhe çlirimi i Kosovës janë bërë bashkë me NATO-n dhe dëshmia e Rubin do t’i hedhë poshtë akuzat e ngritura nga persona me pretendime të ulëta e të dëmshme”, tha Hasani në një intervistë për RTV21.

Ai gjithashtu komentoi edhe protestën e sotme në Hagë, duke theksuar se jehona e saj u pa qartë me flamujt e UÇK-së, flamujt kombëtarë dhe brohoritjet e qytetarëve.

Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se 11 dëshmitarët që mëton të thërrasë të japin dëshminë e tyre në seanca të hapura. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ky panel po ashtu pret që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur që të paraqesë shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.